KRM “Pastrimi” lë qytetin me mbeturina dhe del të pastrojë shkollat e Prishtinës, Azemi: Është shkelje ligjore

KRM “Pastrimi” lë qytetin me mbeturina dhe del të pastrojë shkollat e Prishtinës, Azemi: Është shkelje ligjore

Written by

in

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka akuzuar Komunën e Prishtinës për mospërmbushjen e obligimeve financiare ndaj kompanive që menaxhojnë punëtorët teknikë të shkollave fillore dhe të mesme në kryeqytet.

Në një intervistë për Telegrafin, ai ka thënë se gjatë ditës së 21 tetorit ka zhvilluar kontakte me pronarët e kompanive për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar, ndërsa ka theksuar se disa prej tyre janë detyruar t’i mbulojnë pagesat e punëtorëve nga buxheti i tyre.

“Dje gjatë gjithë ditës kemi pasur kontakte me pronarë të kompanive që i menaxhojnë këta punëtorë, të shkollave filloreve dhe shkollave të mesme, njëfarë forme edhe në gjendje të rëndë, sepse ka kompani që nga buxheti i vetë ka paguar mjete për të cilat komuna e Prishtinës nuk ia ka bartë dhe fajtori kryesor dihet, që është Komuna e Prishtinës”, tha Azemi.

Azemi ka bërë të ditur se sindikata ka diskutuar me pronarët e kompanive për mundësinë e gjetjes së një zgjidhjeje të përkohshme, por ka insistuar se synimi i tyre është zgjidhja afatgjatë e problemit.

“Dje i kemi dëgjuar hallat e pronarëve të kompanive. Kemi menduar me gjet një zgjidhje që përkohësisht mund të gjendet, por megjithatë ne duam që kjo zgjidhje të jetë afatgjate, përndryshe në orët e vona të pasditesh jemi takuar edhe me shefin e kabinetit të kryetarit të Komunës së Prishtinës, ku kemi biseduar për këtë çështje”, potencoi kreu i SPSPK-së.

Ai ka treguar se gjatë takimit me shefin e kabinetit të kryetarit të Prishtinës, përfaqësuesit e sindikatës kanë kërkuar hapa konkretë për zgjidhjen e problemit.

“Në fakt, ne kemi shkuar shumë komod, sepse u kemi thënë që ne nuk kemi çka të shtojmë më shumë, nëse keni të na ofroni diçka, nëse jo – ditën e mirë dhe nëse juve ju vjen mirë që shkollat janë në këtë gjendje, atëherë vazhdoni”, shtoi Azemi.

Sipas tij, në këtë takim është diskutuar mundësia që komuna t’ua bartë kompanive obligimet financiare që nga 1 korriku, ndërsa këto të fundit t’ua përcjellin mjetet punëtorëve.

“Ata thonë se e kemi marrë këtë problem me seriozitet dhe do të gjendet një zgjidhje, përndryshe kemi dashur diçka konkretë, konkrete thanë se të gjitha obligimet që i ka nga 1 korriku Komuna e Prishtinës do t’i përcjelle te kompanitë, ndërsa kompanitë do t’i përcjellin tek punëtorët”, bëri të ditur ai.

Kryetari i sindikatës ka thënë se është planifikuar edhe një takim tjetër për të parë nëse do të ketë zgjidhje konkrete nga ana e Komunës së Prishtinës.

“Përndryshe jemi dakorduar që të martën në orën 10:00 do të kemi prapë një takim, do të shohim se a do të përfundon ky proces në Komunën e Prishtinës”, zbuloi Azemi.

Azemi kundërshton pastrimin e shkollave nga KRM “Pastrimi”

Përveç çështjes së obligimeve financiare, Azemi ka ngritur shqetësime edhe lidhur me veprimet e Kompanisë Rajonale të Mbeturinave (KRM) “Pastrimi”, e cila më 21 tetor njoftoi se po zhvillonte aktivitete të pastrimit në shkollat fillore të kryeqytetit.

Ai ka deklaruar se kompania ka ndërhyrë në shkolla gjatë kohës kur punëtorët kanë qenë në pushim, duke e cilësuar këtë veprim si shkelje ligjore.

“Megjithatë kemi edhe informacione që gjatë natës së kaluar, kur punëtorët kanë shkuar në pushim, kompania KRM ‘Pastrimi’ ka shkuar nëpër disa shkolla që ta bëjë pastrimin e këtyre shkollave, kur dihet se pastrimi në çfarë gjendjeje kundërmon qytetin, ai nuk po mund me i kry detyrat e veta, apo shkon e po i kryen detyrat tjera. Është shkelje ligjore”, deklaron Azemi.

Azemi ka bërë të ditur se sindikata e ka çështjen në gjykatë dhe se, sipas tij, veprimet e fundit të KRM “Pastrimi” do t’i bashkëngjiten lëndës përkatëse.

“Ne e kemi lëndën në gjykatë dhe normal që këtij materiali, këto veprime që i kanë bë dje do t’ia bashkëngjisim edhe lëndës kur të kemi çështjen e gjykimit”, tha ai.

Kryetari i SPSPK-së ka folur edhe për një rast në shkollën “Naim Frashëri”, ku, sipas tij, kanë shkuar punëtorë të KRM “Pastrimi” ose të Ndërmarrjes Publike Banesore. Azemi ka thënë se nuk janë ende të sigurt se cilës ndërmarrje i përkisnin ata, ndërsa ka potencuar se në shkollë kishte pasur konflikt mes punëtorëve dhe se në vendin e ngjarjes kishte shkuar policia.

“Sot në shkollën ‘Naim Frashëri’ kanë shkuar punëtorët e KRM ‘Pastrimi’ ose të Ndërmarrjes Publike Banesore, nuk jam i sigurt, por që do ta verifikojmë, pasi i kemi të incizuar. Dhe aty duket se ka pas një konflikt mes punëtorëve, me çka edhe ka ndërhyrë policia, mirëpo nuk jemi një dijeni të situatës, por që më vonë do t’i kemi informatat e plota. Ta bësh thyerjen e grevës në këtë formë, gjithkush duhet ta japë llogari për këto thyerje që po bëhen”, shtoi ai.

Azemi ka theksuar se punëtorët nuk duhet ta ndërpresin grevën pa u shlyer të gjitha obligimet ndaj tyre. Ai ka thënë se, sipas informatave që ka marrë nga shefi i kabinetit të kryetarit të Prishtinës, komuna i njeh të drejtat e punëtorëve, por ka probleme financiare.

“Këta punëtorë, është normale që mund të dalin nga greva vetëm kur të shlyhen të gjitha obligimet ndaj këtyre punëtorëve. Nga informacionet që i kemi nga shefi i kabinetit i kryetari të Prishtinës, thuhet: ‘Ne i njohim të gjitha të drejtat e këtyre punëtorëve. E dimë që ata kanë të drejtë, por ne kemi probleme financiare’, por ne kemi obligim me punua me i mirëmbajtë shkollat dhe jo me u marrë me probleme të financave të Komunës së Prishtinës”, përfundoi Azemi.

Ndërkaq, KRM “Pastrimi”, në njoftimin e publikuar më 21 tetor, ka bërë të ditur se po vazhdonte pastrimin e klasave në shkollat fillore të kryeqytetit, me qëllim që objektet shkollore të ishin të pastra për nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Po i pastrojmë klasët e shkollave fillore në Kryeqytet në mënyrë që objektet mësimore të jenë të pastra për mësim”, thuhej në njoftimin e kompanisë.

Telegrafi do të përcjellë zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje, me fokus nga takimi i së martës, për të parë se a do të gjendet një zgjidhjes mes komunës së Prishtinës dhe punëtorëve teknikë të shkollave. /Telegrafi/