Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” ka reaguar ndaj deklaratave publike të ish-kryeshefit ekzekutiv, Hasan Krasniqi, lidhur me mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 23 tetor 2026, duke i cilësuar si të pasakta disa nga pretendimet e tij.
Në reagimin publik, Bordi ka theksuar se mbledhja është dokumentuar përmes procesverbalit dhe incizimit, duke shtuar se rrjedha e diskutimeve mund të verifikohet përmes këtyre dokumenteve.
Një nga çështjet kryesore të ngritura nga Bordi lidhet me pretendimin se kryesuesi Urim Gashi i kishte kërkuar Krasniqit ndërprerjen e kontratës së qirasë me operatorin ekonomik “Liqeni i Dukagjinit”.
Sipas Bordit, një kërkesë e tillë nuk është bërë as me shkrim, as përmes postës elektronike, as verbalisht dhe as gjatë mbledhjeve.
“Bordi sqaron se Kryesuesi i Bordit asnjëherë… nuk i ka kërkuar atij që ta ndërpresë apo shkëpusë Kontratën e Qirasë me operatorin ekonomik”, thuhet në reagim.
Bordi ka kundërshtuar edhe pretendimin se Krasniqit i ishte kërkuar të nënshkruante ndërprerjen e kontratës ose të jepte dorëheqje. Sipas tij, diskutimi kishte të bënte me përgjegjësitë e kryeshefit ekzekutiv dhe detyrimet që rrjedhin nga statuti dhe aktet e brendshme të kompanisë.
Në reagim thuhet se kryesuesi kishte shprehur qëndrimin se përgjegjësitë menaxheriale duhej të ushtroheshin nga vetë kryeshefi dhe se dorëheqja mund të shqyrtohej nëse ai vlerësonte se nuk mund t’i merrte përsipër ato.
Sa i përket largimit të Krasniqit nga mbledhja, Bordi ka deklaruar se atij i ishte dhënë mundësia të paraqiste qëndrimet, sqarimet dhe dokumentacionin përkatës. Pas përfundimit të dëgjimit, sipas Bordit, atij i ishte kërkuar të largohej në mënyrë që mbledhja të vazhdonte me shqyrtimin e çështjeve dhe vendimmarrjen.
Bordi ka bërë të ditur se vendimi për shkarkimin e Hasan Krasniqit nuk ishte vendim individual i kryesuesit dhe nuk ishte kushtëzuar me nënshkrimin e ndërprerjes së kontratës së qirasë.
“Pas dëgjimit të z. Krasniqi dhe shqyrtimit të çështjes, të pesë (5) anëtarët e Bordit kanë votuar PËR shkarkimin e tij, pa asnjë votë kundër dhe pa asnjë abstenim”, thuhet në reagim.
Sipas Bordit, arsyet e shkarkimit janë përcaktuar në vendimin e datës 23 tetor 2026 dhe lidhen me vlerësimin e tij për përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive menaxheriale të kryeshefit ekzekutiv.
Në fund, Bordi i Drejtorëve i KRU “Gjakova” i ka bërë thirrje Hasan Krasniqit që të korrigjojë publikisht deklaratat të cilat, sipas tij, ia atribuojnë kryesuesit kërkesa dhe kushtëzime që nuk janë bërë.
Bordi ka ritheksuar përkushtimin ndaj transparencës, përgjegjshmërisë institucionale dhe respektimit të legjislacionit dhe akteve të kompanisë. /Telegrafi/