Qytetarët ndezin qirinj në Pejë në kujtim të Arlinda Zekajt, kërkojnë drejtësi dhe mbrojtje për gratë

Qytetarët ndezin qirinj në Pejë në kujtim të Arlinda Zekajt, kërkojnë drejtësi dhe mbrojtje për gratë

Written by

in

Qytetarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile janë mbledhur në Sheshin e Qytetit në Pejë, ku kanë ndezur qirinj në kujtim të Arlinda Zekajt, e cila u vra të dielën në Vitomiricë të Pejës.

Aktiviteti është organizuar nga organizata “Syri i Vizionit”, në bashkëpunim me organizata të tjera të shoqërisë civile, në shenjë dhimbjeje dhe solidariteti me viktimën dhe familjen e saj.

Përmes këtij organizimi, pjesëmarrësit kanë kërkuar drejtësi për Arlindën, përgjegjësi institucionale dhe masa konkrete për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së grave.

“Asnjë grua më pak! Drejtësi për Arlindën! Siguri dhe mbrojtje për çdo grua!”, ishte mesazhi i organizatorëve.

Pranë fotografisë së Arlindës dhe qirinjve të ndezur ishte vendosur edhe mbishkrimi “DERI KUR?!”, përmes të cilit u përcoll thirrja për më shumë përgjegjësi institucionale dhe veprime konkrete kundër dhunës ndaj grave.

Pjesëmarrësit përmes këtij aktiviteti kanë shprehur solidaritet me familjen e Arlindës, duke rikthyer në vëmendje kërkesën për drejtësi dhe mbrojtje për çdo grua. /RTK/