
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka pranuar letër urimi për formimin e Qeverisë dhe marrjen e mandatit të ri nga homologu i tij bullgar, Rumen Radev.
“Kam kënaqësinë t’ju shpreh urimet e mia më të sinqerta me rastin e formimit të suksesshëm të qeverisë së re dhe marrjes së detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Dinamika e marrëdhënieve ndërkombëtare kërkon përpjekje të vazhdueshme për mbrojtjen efektive të interesave kombëtare. Angazhimi juaj i palodhur për konsolidimin e Kosovës si anëtare e pavarur dhe e denjë e bashkësisë ndërkombëtare përbën një arsye të fortë për të besuar në suksesin e misionit tuaj”, shkroi kryeministri Radev.
Në letrën e tij, Radev shprehu edhe mbështetjen e Qeverisë së Bullgarisë për Kosovën në proceset integruese.
“Ju siguroj për gatishmërinë e qeverisë së drejtuar prej meje për të vazhduar mbështetjen për ofrimin e një perspektive të qartë për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, si dhe për anëtarësimin e plotë të vendit tuaj në Këshillin e Evropës”, thuhet në letër.
Me qëllim të thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, kryeministri bullgar e ftoi Kurtin për vizitë në Bullgari.
“Marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe kontaktet miqësore personale përbëjnë një bazë të mirëfilltë për thellimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet nesh. Jam i bindur se një vizitë juaja zyrtare në Bullgari në të ardhmen e afërt do të kontribuojë ndjeshëm në ngritjen e partneritetit ndërmjet dy vendeve tona në një nivel të ri, më të lartë. Ju lutem pranoni, i nderuar zoti Kryeministër, shprehjen e konsideratës sime më të lartë”, thuhet në letrën e kryeministrit Radev./Klankosova.tv