Kryeministri i Belgjikës ofron dorëheqjen pas dështimit të marrëveshjes për buxhetin e vitit 2027

Kryeministri i Belgjikës ofron dorëheqjen pas dështimit të marrëveshjes për buxhetin e vitit 2027

Written by

in

Kryeministri i Belgjikës, Bart De Wever, i ka paraqitur dorëheqjen mbretit Philippe, pasi koalicioni pesëpartiak qeverisës nuk arriti të pajtohet për buxhetin e vitit 2027.

Megjithatë, mbreti ka shtyrë vendimin për pranimin e dorëheqjes dhe ka njoftuar se do të zhvillojë konsultime me liderët e partive që përbëjnë shumicën parlamentare, raporton Anadolu Agency.

De Wever ka qëndruar për më shumë se 90 minuta në takim me mbretin në Pallatin Mbretëror në Bruksel, njoftoi transmetuesi publik belg VRT.

Negociatat për buxhetin kanë ngecur prej disa javësh, ndërsa Qeveria belge po përpiqet të gjejë zgjidhje për deficitin buxhetor prej rreth 10 miliardë eurosh.

Mosmarrëveshjet brenda koalicionit lidhen kryesisht me qëndrimet e partisë socialiste flamande Vooruit dhe partisë së qendrës së djathtë frankofone, Lëvizja Reformiste (MR).

De Wever më herët kishte kundërshtuar mundësinë që vendi të hynte në vitin e ri me një buxhet të përkohshëm, i cili do t’i lejonte Qeverisë të funksiononte sipas kornizës së shpenzimeve të vitit paraprak.

Sistemi kushtetues i Belgjikës i mundëson mbretit të mos e pranojë dorëheqjen e kryeministrit ose ta shtyjë vendimin, në mënyrë që t’u japë kohë partive të koalicionit për të arritur marrëveshje.

Në rast se dorëheqja pranohet, Qeveria mund të vazhdojë punën me kompetenca të kufizuara deri në arritjen e një zgjidhjeje të re politike.

Një krizë e ngjashme buxhetore kishte ndodhur edhe në fund të vitit 2025. Atëherë, De Wever i kishte kërkuar mbretit një zgjatje të afatit prej 50 ditësh, ndërsa më 24 nëntor koalicioni ishte pajtuar për shkurtime të shpenzimeve në vlerë prej 9.2 miliardë eurosh.

Burimi: Dukagjini