Kryesia e Kuvendit të Kosovës do të mblidhet sot, e hënë, në orën 11:00.
Sipas rendit të ditës, në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet propozimi për rendin e ditës të seancës plenare të radhës, si dhe kërkesat dhe propozimet e tjera.
Ndër pikat e parapara për seancën e radhës janë formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për katër anëtarë të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) – dy nga komuniteti shqiptar, një nga komuniteti serb dhe një nga komunitetet joshumicë.
Po ashtu, në rend dite është edhe votimi i propozimit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Kryesia do të shqyrtojë gjithashtu procesverbalet e mbledhjeve të mëparshme, ndërsa në kuadër të seancës së radhës janë paraparë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Burimi: Dukagjini
