Kryeterroristi Milan Radoiçiq dyshohet se ka ikur në Kosovë /Video

Kryeterroristi Milan Radoiçiq dyshohet se ka ikur në Kosovë /Video

Written by

in

Kryeterroristi që mori përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq, raportohet se është larguar nga Serbia dhe ka ikur në Rusi, ndonëse ndaj tij janë në fuqi masa kufizuese të gjykatës, përfshirë ndalimin e largimit nga vendi dhe konfiskimin e pasaportës. Deri më tani, autoritetet serbe nuk kanë konfirmuar nëse ai ndodhet në Rusi apo nëse ka marrë leje për t’u larguar. Ndërkohë, Serbia vazhdon të mos e dorëzojë atë para drejtësisë në Kosovë për sulmin në Banjskë.

Milan Radoiçiq, i cili mori përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur që kreu sulmin terrorist në Banjskë, vazhdon të jetë nën masa kufizuese të shqiptuara nga Gjykata e Lartë në Beograd.

Atij i ndalohet largimi nga vendbanimi dhe territori i Serbisë pa miratimin e gjykatës. Pasaporta i është konfiskuar përkohësisht, ndërsa është i obliguar të paraqitet në polici dy herë në muaj, më datat 1 dhe 15.

Gjykata ka bërë të ditur se Radoiçiq është paraqitur për herë të fundit në polici më 1 nëntor. Për këtë, policia e ka njoftuar gjykatën katër ditë më vonë.

Ky njoftim erdhi pas deklaratave të ish-inspektorit të Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, Milan Zvezdanoviq, i cili tha për mediat se, sipas informacioneve të tij jozyrtare, Radoiçiq është larguar nga Serbia dhe ka shkuar në Rusi.

Deri më tani, nuk ka konfirmim zyrtar nëse ai ka kërkuar apo ka marrë leje nga gjykata për t’u larguar nga vendi.

Ndërkohë, procedura penale ndaj tij në Serbi vazhdon të jetë në fazën e hetimeve. Përveç marrjes së përgjegjësisë për organizimin e grupit të armatosur, Prokuroria serbe e ngarkon Radoiçiqin për sigurimin, transportimin dhe magazinimin e armëve, municionit dhe mjeteve shpërthyese.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Serbia po refuzon kërkesat për ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë. Mbetet të shihet se si do të veprojnë autoritetet e reja të Serbisë në këtë rast.

Mungesa e përgjegjësisë për sulmin në Banjskë vazhdon të rëndojë marrëdhëniet e Beogradit me partnerët perëndimorë dhe procesin e dialogut me Kosovën. Bashkimi Evropian i ka kërkuar vazhdimisht Beogradit që personat përgjegjës për sulmin terrorist në Banjskë të arrestohen dhe të dalin para drejtësisë.  

Burimi: RTKLive