Stojkoviq për RTK: Radoiçiqi dhe Veselinoviqi ndodhen në Rusi /Video

Stojkoviq për RTK: Radoiçiqi dhe Veselinoviqi ndodhen në Rusi /Video

Written by

in

Duke folur për raportimet lidhur me largimin e tyre, Stojkoviq tha se Veselinoviqi dyshohet se ka udhëtuar drejt Rusisë përmes Turqisë, ndërsa për Radoiçiqin nuk dihet rruga që ka ndjekur. Sipas tij, Radoiçiqi aktualisht ndodhet në Moskë.

Avokati vlerësoi se largimi i tyre është pasojë e bashkëpunimit të shërbimeve të inteligjencës serbe dhe ruse, duke pretenduar se të dy po kërkojnë mbrojtje në Rusi, pasi, sipas tij, pushteti i ri në Serbi nuk do t’i mbrojë më.

Duke komentuar përgjegjësinë e institucioneve serbe, Stojkoviq tha se nuk është hera e parë që persona të dyshuar për veprimtari kriminale largohen nga Serbia, me pretendimin se këtë e mundësojnë vetë strukturat shtetërore.

Ai përmendi edhe rastin e dy shtetasve kinezë, për të cilët tha se, sipas raportit të fundit të kryeprokurorit të shtetit, Prokuroria e Lartë në Beograd kishte ndihmuar largimin e tyre nga Serbia, ndonëse ndaj tyre kishte urdhër-arreste amerikane dhe kërkesë për ekstradim.

Sa i përket Milan Radoiçiqit, i cili përballet me akuza lidhur me organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë, Stojkoviq tha se nuk dihet saktësisht se si është larguar nga Serbia, duke pasur parasysh masat e sigurisë të vendosura ndaj tij nga gjykata.

Megjithatë, ai pretendoi se largimi i Radoiçiqit nuk do të ishte i mundur pa veprimin e shërbimeve sekrete serbe.

Tutje, Stojkoviq foli edhe për zhvillimet politike në Serbi dhe pritjet nga një qeveri e re, në kontekstin e ngritjes së Listës Studentore.

Ai tha se pret një qasje ndryshe të Beogradit ndaj Kosovës, por përjashtoi mundësinë që qeveria e re ta njohë pavarësinë e Kosovës, pasi, sipas tij, një zotim i tillë nuk ka qenë pjesë e programit të saj politik.

Stojkoviq u shpreh se ndryshimi kryesor që pret është në aspektin e sigurisë, duke vlerësuar se qeveria e re mund të ketë marrëdhënie më miqësore me vendet fqinje dhe të mos përdorë mjete ushtarake apo paramilitare ndaj Kosovës dhe shteteve të tjera të rajonit.

Sipas tij, raportet me Prishtinën mund të karakterizohen nga një qasje më diplomatike, edhe në rastet kur palët nuk pajtohen për çështje të caktuara.

Ai theksoi se mbetet të shihet se si do të duket konkretisht politika e qeverisë së re ndaj Kosovës, pasi ajo ende nuk është formuar.

Burimi: RTKLive