“Kufiri 2”: Kapen rreth 136 kilogramë marihuanë, ndalohen 3 persona

“Kufiri 2”: Kapen rreth 136 kilogramë marihuanë, ndalohen 3 persona

Written by

in

“Kufiri 2”: Kapen rreth 136 kilogramë marihuanë, ndalohen 3 persona

Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka bërë me dije se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, duke zbatuar planin taktik të koduar “Kufiri 2”, të premten, në autostradën “Arbën Xhaferi” (afër daljes Doganaj-Kaçanik), është gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike e dyshuar për marihuanë, në sasi prej rreth 136 kilogramë.

Sipas njoftimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar tre persona të dyshuar në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndërkaq, sipas njoftimit, një person tjetër i dyshuar për përfshirje në rast gjendet në arrati.

Për më tepër, Prokuroria theksoi se “ekzistojnë dyshime për përfshirjen e një zyrtari policor në këtë rast, ndaj të cilit janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale”. 

“Sipas informacioneve fillestare të siguruara gjatë hetimeve, personat e dyshuar në këtë rast janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dyshohet se të njëjtit kishin për qëllim transportin, shitjen dhe shpërndarjen e substancave narkotike të llojit marihuanë, nga Republika e Shqipërisë përmes territorit të Republikës së Kosovës, e më pas në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me destinacion përfundimtar Republikën e Turqisë”, tha Prokuroria në njoftim.

Ky institucion tha se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, do të vazhdojë tutje me veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale lidhur me këtë rast, me qëllim të ndriçimit të plotë të këtij rasti dhe identifikimit të të gjithë personave të dyshuar.

Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, pranë gjykatës kompetente do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve. /Klankosova.tv