
Një studim i realizuar nga RISE Health dhe Universiteti i Averios tregon se përdorimi i telefonit nga prindërit në prani të fëmijëve ka ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin e të folurit te ta.
Studiuesja Maria Inês Gomes, ka thënë se “Prindërit luajnë një rol të rëndësishëm në krijimin e mundësive për komunikim në përditshmëri”.
Bisedat, loja, këndimi dhe rrëfimi i historive u japin mundësi fëmijëve të dëgjojnë dhe të provojnë mënyra të ndryshme të të folurit në situata që kanë kuptim për ta, shton Gomes, raporton Euronews, transmeton Klankosova.tv
Ky studim përfshiu 93 familje, gjuha e parë e të cilave është portugalishtja dhe që kanë fëmijë të moshës nga 3 deri në 5 vjeç.
Sipas gjetjeve, shpërqendrimi i prindërve nga telefoni ndikon direkt në ndërveprimet me fëmijët, të cilat kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin e të folurit.
Në të njëjtën kohë, analiza rezulton se marrëdhëniet e kufizuara vetëm në raportin prind-fëmijë mund të krijojnë pengesa në zhvillimin e përgjithshëm të tyre, të kufizojnë autonominë e fëmijës dhe të ndikojnë në larminë e konteksteve gjuhësore në të cilat ai merr pjesë.
Studiuesit theksojnë se kur prindërit përgjigjen në vend të fëmijëve ose u paraprijnë fjalëve të tyre, nuk u lënë hapësirë të mjaftueshme për të komunikuar dhe për të zhvilluar autonominë, veçanërisht në aspektin fonologjik.
Për këtë arsye, studiuesit i inkurajojnë prindërit që të rivlerësojnë shprehitë e tyre digjitale. Ata shtojnë se komunat dhe shkollat mund të ndihmojnë duke organizuar rutina dhe aktivitete për prindërit, me përmbajtje të përshtatshme dhe kohë të dedikuar për komunikimin me fëmijët. /Klankosova.tv