Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se në Pejë ndërtimi i banesave është drejt përfundimit, ndërsa aktivitetet ndërtimore po vazhdojnë edhe në Istog, Podujevë dhe Gjilan.
Për komunat e tjera, Kurti ka njoftuar se në Kamenicë është hapur rruga përmes procedurave të prokurimit, ndërsa në Shtime dhe Obiliq projektet janë ende në fazën e hartimit.
“ Në procedurë të prokurimit për lidhjen e kontratës është Kamenica, e në fazën e hartimit të projekteve Shtimja dhe Obiliqi”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se përmes këtij programi synohet të mbështeten familjet, çiftet e reja dhe qytetarët që kanë nevojë për banim.
“Ashtu siç jemi zotuar, qeveria jonë do të jetë gjithmonë pranë familjeve, çifteve të reja dhe atyre në nevojë”, ka shkruar kryeministri.
Ndërkohë, ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka bërë të ditur se në Pejë janë 135 njësi banesore që kanë hyrë në fazën finale të ndërtimit.
Projekti i Banimit të Përballueshëm dhe Social është duke u realizuar në disa komuna të vendit, me synimin e krijimit të mundësive më të mira për strehim për kategoritë që përballen me vështirësi në sigurimin e banimit.
Burimi: RTKLive
