
Kryeministri Albin Kurti, është pritur në takim në Parlamentin e Republikës së Irlandës nga përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian.
Pjesë e takimit ishin kryesuesi Barry Ward, anëtari Ruairi O Murchu, sekretari Ivan Farmer, si dhe drejtori për Zgjerim dhe Njësinë për Evropën Juglindore i BE-së, Frank Smyth.
“Që rrugëtimi zyrtar i Republikës së Kosovës drejt BE-së, nëpërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, të mos vonohet edhe më tej, është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin e dorëzuar në dhjetor të vitit 2022”, tha Kurti.
Për Kosovën, tha ai, procesi nuk është më pak i rëndësishëm se arritja në cak, sepse “me përmbushjen e reformave përveçqë lëvizim përpara në rrugën evropiane, përfitojnë qytetarët dhe forcohemi si shtet”.
Kryeministri tha se “populli i Kosovës është mirënjohës për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm të Irlandës për Republikën tonë, që nga strehimi i refugjatëve e pjesëmarrja në kuadër të KFOR-it”. /Klankosova.tv