Kurti: Pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk e pasqyron progresin e arritur

Kurti: Pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk e pasqyron progresin e arritur

Written by

in

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim dhe të nisë sa më shpejt procesi i negociatave.

Në konferencën për media pas prezantimit të Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026, Kurti tha se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet prioritet strategjik dhe afatgjatë i vendit, duke theksuar se ky proces gëzon mbështetje të gjerë qytetare dhe konsensus ndërpartiak.

Megjithatë, ai vlerësoi se pozita e Kosovës në procesin e integrimit nuk e pasqyron progresin e arritur, pasi vendi vazhdon të jetë i vetmi në Ballkanin Perëndimor që nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.

Kurti rikujtoi se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE para gati katër vjetësh, por deri më tani nuk ka pasur lëvizje konkrete nga shtetet anëtare dhe institucionet evropiane për t’i dhënë Komisionit Evropian mandatin politik për nisjen e procesit.

“Integrimi në BE mbetet prioriteti ynë strategjik dhe afatgjatë, siç edhe nënvizohet në raport. Ky përkushtim ka mbështetje të lartë dhe të qëndrueshme të popullsisë dhe gëzon konsensus të gjerë ndërpartiak. Megjithatë, pozita e Kosovës në procesin e anëtarësimit nuk e pasqyron progresin që kemi bërë. Kosova meriton të marrë statusin e shtetit kandidat për anëtarësim dhe të fillojë negociatat sa më shpejt të jetë e mundur”, deklaroi Kurti.

Duke komentuar gjetjet e raportit, kryeministri foli edhe për ndikimin e bllokadës institucionale në zbatimin e reformave evropiane.

Ai tha se bllokada e Kuvendit ka ngadalësuar ritmin e reformave, duke shkaktuar vonesa në ratifikimin e marrëveshjes në kuadër të Planit të Rritjes dhe duke lënë një numër ligjesh në pritje të miratimit.

Sipas tij, në disa fusha progresi gjatë vitit raportues ka qenë më i ngadalshëm krahasuar me vitin paraprak, por kjo nuk nënkupton regres në nivelin e përgatitjes së Kosovës.

Kurti theksoi se Komisioni Evropian nuk ka konstatuar rënie të nivelit të përgatitjes së vendit në asnjë fushë, ndërsa vlerësimi për disa sektorë është përmirësuar.

Ai përmendi luftën kundër krimit të organizuar, reformën e administratës publike, drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, lëvizjen e lirë të kapitalit, shërbimet financiare, statistikat, menaxhimin e fondeve të BE-së dhe lirinë e shprehjes si fusha ku Kosova ka shënuar vlerësim më të mirë sesa një vit më parë.

Kryeministri foli edhe për proceset zgjedhore gjatë periudhës raportuese, duke thënë se zgjedhjet komunale të tetorit 2025, ato parlamentare të dhjetorit 2025 dhe zgjedhjet e qershorit 2026 janë vlerësuar nga Komisioni Evropian si paqësore, konkurruese dhe të menaxhuara mirë.

“Ky vit i raportimit ka qenë sfidues, sepse bllokada e Kuvendit e ngadalësoi ritmin e reformave, siç thuhet edhe nga vetë Komisioni. Për shkak të kësaj, u vonua ratifikimi i marrëveshjes në kuadër të Planit të Rritjes dhe shumë ligje mbetën në pritje. Në disa fusha progresi i këtij viti është më i ngadalshëm sesa i vitit të kaluar. Nuk kemi rënë në nivel, por kemi ecur më ngadalë, pasi Kuvendi u mbajt i bllokuar”, tha Kurti./Telegrafi.