Banorët e fshatrave të Rugovës kanë mbetur prej vitesh pa një zgjidhje për ndërtimin me leje, ka thënë ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli-Dalipi.
Në “Përballje Podcast” në Telegrafi, ajo tha se, ndërsa disa kanë arritur të ndërtojnë hotele, të tjerë nuk kanë mundur të ndërtojnë as shtëpi për familjet e tyre.
E pyetur për kërkesat e banorëve të Rugovës dhe për planet e Ministrisë për parqet kombëtare, Pacolli-Dalipi tha se planet hapësinore për zonën kishin përfunduar në vitin 2013.
Sipas saj, prej atëherë nuk janë hartuar plane zhvillimore që do të mundësonin dhënien e lejeve të ndërtimit.
“Kush ka qenë i fortë, ka ndërtu edhe hotele andej, kush s’ka qenë i fortë, s’ka arritë me ndërtu as shtëpi për familjarët e vet. Ne duhet të krijojmë rregulla që implementohen dhe respektohen për secilin njëjtë”, tha ministrja, shkruan Telegrafi.
Ndërtimet pa leje do të trajtohen një nga një
Pacolli-Dalipi tha se Ministria, në fillim të mandatit, kishte ndaluar bartjen e materialeve ndërtimore në zonat e mbrojtura. Sipas saj, kjo masë ka penguar një numër të madh ndërtimesh pa leje në parqet kombëtare.
“Ne kemi ndalë një numër të madh të ndërtimeve ilegale në këto parqe. Mirëpo, kjo nuk mjafton”, tha ajo.
Ministrja u bëri thirrje banorëve të mos ndërtojnë gjatë kësaj periudhe dhe tha se Ministria do t’i trajtojë “një nga një të gjitha ndërtimet ilegale”.
Ajo shtoi se rishikimi i legjislacionit për parqet kombëtare, një kërkesë e kahershme e banorëve, është në procedurë. Në intervistë, ajo paralajmëroi edhe një marrëveshje me Gjermaninë për mbështetje me ekspertizë në menaxhimin e parqeve.
– YouTube youtu.be
Bujtina ekologjike në hapësirat përreth
Duke folur për mundësitë e zhvillimit në Rugovë, Pacolli-Dalipi tha se “zona e parë e parqeve duhet me qenë strikt e mbrojtur”. Në hapësirat përreth, sipas saj, mund të zhvillohet turizmi malor në mënyrë të qëndrueshme.
Ajo tha se Ministria po punon për t’i zgjeruar hapësirat ku mund të zhvillohen veprimtari të tilla, “në mënyrë që qytetarët me pasë shumë më shumë mundësi me kriju edhe bujtina”.
Ministrja shtoi se banorëve u është premtuar mbështetje për të hapur bujtina ekologjike.
Pacolli-Dalipi përmendi edhe hartimin e projekteve për trajtimin e ujërave të zeza në fshatrat malore. Sipas saj, në disa zona të mbrojtura mungon kanalizimi dhe ujërat e zeza derdhen në natyrë, duke ndotur lumenjtë./Telegrafi/.