Organizatori i protestës “Jo në emrin tim!”, Çlirim Haziri, ka reaguar pas kthimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kuvend, duke theksuar se kërkesat e protestuesve për mbrojtjen e të drejtave të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Hagë mbeten të pandryshuara.
Përmes një reagimi publik, Haziri ka thënë se gjatë 21 ditëve dhe netëve të protestës në shesh, kërkesa e tyre e vetme ka qenë që institucionet e Kosovës të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Për 21 ditë e 21 net kemi qëndruar në shesh me një kërkesë të vetme: që institucionet tona të marrin përgjegjësi për mbrojtjen e të drejtave të ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë. Kemi protestuar për një kauzë që është shumë më e madhe se secili prej nesh”, ka deklaruar Haziri.
Ai ka sqaruar se protestuesit nuk kanë kërkuar miratimin e një ligji vetëm për qëllime formale, por një akt ligjor që është juridikisht i qëndrueshëm dhe që mund të prodhojë rezultate konkrete.
Sipas tij, çdo dispozitë që ka nevojë për ndryshim apo përmirësim duhet të rishikohet, në mënyrë që ligji të jetë funksional dhe të ketë efekt real.
“Ne vetë kemi kërkuar që, nëse ka diçka në ligj që duhet ndryshuar apo përmirësuar, kjo të bëhet. Sepse ne nuk kemi kërkuar kurrë një ligj sa për ta votuar, por një ligj që qëndron juridikisht dhe që mund të ketë efekt real”, ka theksuar ai.
Haziri ka shtuar se për protestuesit nuk ka rëndësi se cili subjekt politik e propozon apo e voton ligjin, por përmbajtja e tij dhe ndikimi që mund të ketë në mbrojtjen e të drejtave të ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka paralajmëruar se do të vazhdojnë ta përcjellin nga afër procesin e përmirësimit dhe miratimit të ligjit, si dhe zbatimin e tij në praktikë.
“Do të vazhdojmë ta përcjellim me shumë kujdes çdo hap deri në përmirësimin dhe votimin e ligjit. Do të vazhdojmë ta monitorojmë edhe zbatimin e çdo neni e çdo shkronje”, ka deklaruar Haziri.
Në reagimin e tij, ai ka përcjellë edhe një paralajmërim të drejtpërdrejtë për këdo që, sipas tij, mund të tentojë ta keqpërdorë politikisht çështjen e UÇK-së.
“Nuk besoj se dikush do të tentojë të luajë me UÇK-në dhe me këtë kauzë. Por kushdo që mendon se mund ta bëjë këtë, duhet ta dijë se do të na ketë përballë”, ka paralajmëruar ai.
Haziri e ka përmbyllur reagimin duke ritheksuar se qëndrimi dhe kërkesat e protestuesve mbeten të njëjta, pavarësisht zhvillimeve të fundit lidhur me ligjin.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Kërkesa jonë nuk ka ndryshuar. Kauza jonë nuk ka ndryshuar. Për UÇK-në kemi qëndruar bashkë dhe për UÇK-në do të vazhdojmë të qëndrojmë”, ka përfunduar Haziri./Telegrafi.