Kuvendi miraton ndryshimet buxhetore për 2026-ën

Kuvendi miraton ndryshimet buxhetore për 2026-ën

Written by

in

Kuvendi miraton ndryshimet buxhetore për 2026-ën

Ndryshimet buxhetore për vitin 2026 janë miratuar me 62 vota, pas shqyrtimit dhe votimit nga deputetët në seancën e sotme parlamentare.

Propozimi për rishikimin e buxhetit të këtij viti përfshinte 7 amendamente ku përkrahjen e deputetëve e morën dy prej tyre, përfshirë atë për pagën e 13-të, njofton Klankosova.tv.

Para votimit në debatin në parlament, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i kërkoi ministrit të Financave, Hekuran Murati, që t’ua bëjë të qartë shërbyesve civilë për pagën e 13-të.

Bajrami tha se është krijuar pritshmëria te rreth 83 mijë shërbyes civilë se, pas amendamentimit të Ligjit të Buxhetit, do të përfitojnë një pagë shtesë në fund të vitit.

Ajo pretendoi se ekzekutimi i pagës së 13-të më 31 mars të këtij viti, pa qenë e planifikuar në Buxhetin e vitit 2026, ishte i ndërlidhur me zgjedhjet e 7 qershorit.

Ajo theksoi se Murati e ka obligim t’i informojë qytetarët për këtë çështje, duke shtuar se pagesa e ekzekutuar më 31 mars i ishte atribuuar vitit 2025.

“Çfarë po kërkoj unë sot është që ju të dilni dhe t’u tregoni qytetarëve se amendamentimi i këtij ligji nuk ua siguron pagën e 13-të për këtë vit, sepse të gjithë tanimë i kanë bërë planifikimet e tyre që, më së largu me pagën e dhjetorit, do ta marrin edhe një pagë ekstra.”

Rreth kësaj çështjeje foli edhe ministri i Financave Hekuran Murati, duke thënë se paga e 13-të ka qenë e paraparë dhe paguhet në fillim të secilit vit, raporton Klankosova.tv

“E kam sqaruar më herët. Paga e 13-të ka qenë e paraparë më ligjin e buxhetit të këtij viti, që për vitin 2026 të paguhet në fillim vit. Pra paga e 13-të është e paraparë në buxhet dhe është paguar sivjet. Paga e 13-të për vitin e ardhshëm, paguhet në fillim të vitit të ardhshëm. Paga e 13-të do tëe paguhet në fillim të secilit vit.”