Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën plenare, në të cilën deputetët do të shqyrtojnë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2026 dhe Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në ulëset e deputetëve janë vendosur shalla me ngjyrë rozë, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Fillimisht, në rend të ditës parashihet miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme, deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Më pas, deputetët do të shqyrtojnë për herë të dytë Projektligjin nr. 11/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026.
Në vazhdim, në shqyrtim të dytë do të jetë Projektligji nr. 11/L-006 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Në fund të seancës, deputetët do të votojnë propozimin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare./EO
Burimi: Dukagjini
