“Largohu, na nevojiten paratë”, Barcelona e informon yllin e skuadrës të gjejë klub të ri

“Largohu, na nevojiten paratë”, Barcelona e informon yllin e skuadrës të gjejë klub të ri

Written by

in

Barcelona po e shtyn Alejandro Balden drejt largimit në afatin kalimtar të janarit, pasi drejtuesit e klubit katalunas synojnë të krijojnë hapësirë financiare për të sjellë një përforcim të ri në skuadrën e trajnerit Hansi Flick.

Sipas mediumit “RAC1”, largimi i mbrojtësit të majtë konsiderohet i domosdoshëm nga drejtuesit e Barcelonës për realizimin e planeve të tyre në afatin kalimtar të dimrit, i cili hapet më 2 janar.

Aktualisht, Barcelona nuk ka asnjë garanci se do të mund ta regjistrojë një futbollist të ri. Kjo pasi rinovimet e kontratave të Xavi Espart, Marc Bernal dhe Brian Farinas pritet të konsumojnë edhe katër milionë eurot e fundit të hapësirës së mbetur në kufirin financiar të klubit.

Ndërkohë, agjenti i Baldes, Jorge Mendes, tashmë ka nisur të shqyrtojë destinacionet e mundshme për klientin e tij, ndërsa Barcelona është në pritje të ofertave për të vendosur se si do të veprojë.

Preferenca e klubit katalunas është shitja përfundimtare e mbrojtësit, pasi kjo do të krijonte më shumë hapësirë në buxhetin e pagave.

Megjithatë, Barcelona do të ishte e gatshme të shqyrtonte edhe një huazim, nëse klubi i interesuar do të mbulonte pjesën më të madhe të pagës së tij.

Sa i përket përforcimeve të mundshme, Barcelona po shqyrton transferimin e një qendërmbrojtësi ose të një mbrojtësi të majtë që mund të luajë edhe në qendër të mbrojtjes.

Megjithatë, sipas RAC1, gjendja financiare e klubit nuk lejon aktualisht realizimin e një transferimi të kushtueshëm, ndaj largimi i Baldes shihet si një prej mundësive për të krijuar hapësirën e nevojshme për lëvizjet e janarit./Telegrafi/