Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka paralajmëruar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend gjatë kësaj jave, ku pritet të kërkohet llogaridhënie nga Qeveria për ngecjet e evidentuara në Raportin e Progresit të Bashkimit Evropian.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Lushaku ka bërë të ditur se partitë politike kanë diskutuar edhe për gjendjen në shëndetësi dhe sektorin e energjisë, dy fusha që sipas saj po përballen me probleme serioze.
Ajo ka paralajmëruar se përmes një mocioni do të kërkohet debat parlamentar lidhur me blerjen dhe menaxhimin e energjisë, ndërsa në seancën e jashtëzakonshme do të trajtohen gjetjet e raportit të fundit të BE-së.
Sipas Lushakut, nisma për thirrjen e seancës ka siguruar mbështetjen e partive politike, ndërsa nënshkrimet e nevojshme pritet të formalizohen gjatë ditës.
Ajo ka vlerësuar se mungesa e përparimit në reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian po e pengon Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.
Burimi: RTKLive
