Kryeministri i Francës, Sébastien Lecornu, ka njoftuar rritjen e pagës minimale me 1.6 për qind nga 1 dhjetori, një muaj më herët sesa ishte planifikuar. Paralelisht, qeveria synon të ndërmarrë masa tatimore në favor të bizneseve dhe të nisë një raund të ri negociatash për rritjen e pagave në sektorë të ndryshëm.
Në përfundim të një konference të mbajtur të hënën në mëngjes në Matignon, me përfaqësues të punëtorëve dhe punëdhënësve, Lecornu prezantoi disa masa që synojnë përmirësimin e fuqisë blerëse dhe nxitjen e rritjes së pagave.
Sipas njoftimit, paga minimale do të arrijë në rreth 1,502 euro neto në muaj, që përkthehet në 24 euro më shumë për punonjësit. Kryeministri bëri të ditur se dekreti përkatës do të publikohet së shpejti, duke e cilësuar këtë si rritjen e dytë më të madhe të 20 viteve të fundit.
“Rritja e pagës minimale nuk mjafton, por ka një përfitim të rëndësishëm: nis një cikël diskutimesh për rritjen e pagave”, deklaroi Lecornu, transmeton Telegrafi.
Ai njoftoi gjithashtu nisjen e një projekti reformues për uljet e përgjithshme të kontributeve të sigurimeve shoqërore, me synimin që punonjësit të përfitojnë paga neto më të larta.
I pyetur për kohën që qeveria, sipas kritikëve, ka humbur para se të prezantonte masa konkrete, Lecornu mbrojti qasjen e tij, duke thënë se nuk beson më në njoftimet që synojnë vetëm të tërheqin vëmendjen.
“Madje mendoj se ato po na dëmtojnë. Kur u drejtohemi qytetarëve francezë, dua të njoftoj masa që funksionojnë. Qeveria po bën gjithçka që mundet”, u shpreh ai.
Për të zbutur shqetësimet e kompanive lidhur me rritjen e kostove të punës, qeveria ka parashikuar disa masa lehtësuese.
Ndër to përfshihen përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat për pagesat e orëve shtesë deri në 10 mijë euro, përjashtimi nga kontributet e punëdhënësve për shpenzimet e transportit publik dhe trajtimi pa taksa i bonuseve për ndarjen e vlerës së krijuar nga kompanitë.
Ky bonus, i njohur ndryshe edhe si “bonusi Macron”, u mundëson kompanive t’u japin punonjësve pagesa të njëhershme për të ndarë një pjesë të vlerës së krijuar, duke përfituar nga lehtësitë tatimore dhe të kontributeve shoqërore, në kushte të caktuara.
Lecornu tha se janë hapur disa kapituj negociatash me propozime konkrete dhe se qeveria synon të marrë rolin e garantuesit të angazhimeve të ndërsjella mes punëdhënësve dhe punonjësve.
Negociatat pritet të vazhdojnë në rreth 100 sektorë profesionalë, ku secili do të ketë mundësinë të diskutojë mënyrat e veta për rritjen e pagave.
Kryeministri kërkoi që angazhimet të jenë “të sinqerta”, duke i dalluar ato nga premtimet që, sipas tij, shtohen me afrimin e zgjedhjeve presidenciale.
“Detyra e qeverisë, e cila nuk ka një kalendar elektoral, është pikërisht të gjejë zgjidhje”, deklaroi ai.
Reagimet e para nga sindikatat kanë qenë të kujdesshme. Rritja prej 1.6 për qind e pagës minimale është dukshëm më e ulët se kërkesat fillestare të organizatave të punëtorëve.
Sindikalistët e CFDT-së kishin kërkuar rritje prej 100 eurosh neto në muaj, ndërsa CGT-ja kishte propozuar rreth 150 euro.
Edhe para njoftimeve të Lecornut, presidenti i CFTC-së, Cyril Chabanier, kishte paralajmëruar se masat që po shqyrtonte qeveria nuk ishin në përputhje me nivelin e pakënaqësisë sociale.
Ndërkohë, sekretarja e përgjithshme e CGT-së, Sophie Binet, po bën thirrje për një tjetër ditë të madhe grevash dhe protestash më 17 nëntor. /Telegrafi/