LEX | Avokati Besnik R. Berisha nis mbrojtjen në rastin e 400 kg kokainë: “Nuk ka njeri më të trishtuar se ai që pret drejtësi kur i tërë aparati i shtetit është vënë mbi të”

LEX | Avokati Besnik R. Berisha nis mbrojtjen në rastin e 400 kg kokainë: “Nuk ka njeri më të trishtuar se ai që pret drejtësi kur i tërë aparati i shtetit është vënë mbi të”

Written by

in

LEX | Avokati Besnik R. Berisha nis mbrojtjen në rastin e 400 kg kokainë: “Nuk ka njeri më të trishtuar se ai që pret drejtësi kur i tërë aparati i shtetit është vënë mbi të”

Me një deklaratë për pritjen e drejtësisë përballë aparatit shtetëror, avokati Besnik R. Berisha e ka nisur mbrojtjen në seancën e sotme në Gjykatën e Apelit, në rastin e 400 kilogramëve kokainë, raporton Gazeta Sinjali.

“Nuk ka njeri më të trishtuar se ai që pret drejtësi kur i tërë aparati i shtetit është vënë mbi të”, ka deklaruar Berisha.

Rasti ka mbërritur në Apel pasi Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 mars 2026, i dënoi pesë të akuzuarit me gjithsej 75 vjet burgim dhe 108 mijë euro gjobë.

Pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, u dënua me 20 vjet burgim dhe 63 mijë euro gjobë, përfshirë gjobën prej 3 mijë eurosh për armëmbajtje pa leje. Faton Vrajolli u dënua me 20 vjet burgim dhe 30 mijë euro gjobë, ndërsa Kadri Sheqiri me 15 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë.

Me nga 10 vjet burgim dhe nga 5 mijë euro gjobë u dënuan Kadri Brahimi dhe Fehmi Bytyqi.

Aktgjykimin e shpalli trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Ngadhnjim Arrni. Pesë të akuzuarit u shpallën fajtorë për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar, ndërsa Izet Sheqiri edhe për armëmbajtje pa leje. Me atë vendim, Brahimit dhe Bytyqit iu caktua paraburgimi, ndërsa tre të tjerëve iu vazhdua kjo masë.

Kokaina në ngarkesën me mish pule nga Brazili

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, të akuzuarit, në bashkëpunim me persona nga Brazili, përmes kompanisë “MC FOOD” kishin lidhur marrëveshje me kompaninë “SEARA” për importimin e mishit të pulës së ngrirë. Në brendësi të pakove, sipas Prokurorisë, ishte vendosur kokainë në sasi prej 400 kilogramësh.

Ngarkesa ishte zbuluar më 17 maj 2021. Gjatë gjykimit, pesë të akuzuarit e kishin mohuar përfshirjen në trafikimin e narkotikëve, ndërsa Izet Sheqiri kishte pranuar fajësinë vetëm për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria pretendonte se Sheqiri kishte mbajtur kontakte me shoferin Fehmi Bytyqi lidhur me transportimin e ngarkesës nga Shqipëria në Kosovë. Sipas akuzës, pas mbërritjes në terminalin doganor në Fushë-Kosovë, Bytyqi kishte incizuar mallin në kontejner dhe ia kishte dërguar incizimin Sheqirit.

Dy të akuzuar pranuan fajësinë në procedura të veçuara

Në këtë rast fillimisht akuzoheshin edhe Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, por procedurat ndaj tyre u veçuan pas marrëveshjeve për pranimin e fajësisë.

Hyzri Sheqiri u dënua me shtatë muaj burgim efektiv, ndërsa Naim Morina me gjashtë muaj, të dy për pengim të procedurës penale.

Me aktgjykimin e shkallës së parë u urdhërua edhe konfiskimi i narkotikëve, mjeteve që kishin mundësuar kryerjen e veprës penale dhe armës për të cilën u shpall fajtor Izet Sheqiri. Koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak u llogaritet në dënimin me burgim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali