
Bashkim Gashi, i akuzuar për sulmin me thikë ndaj bashkëshortes dhe një vajze të mitur në Prizren, i ka kërkuar falje bashkëshortes gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Apelit.
Rasti lidhet me ngjarjen e 17 tetorit 2025, kur të dyja të dëmtuarat kishin pësuar lëndime të rënda nga goditjet me thikë dhe ishin dërguar për trajtim në Spitalin e Prizrenit, raporton Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të atëhershëm të Prokurorisë, policia e kishte gjetur gruan të plagosur në rrugë dhe i kishte ofruar ndihmën e parë deri në mbërritjen e ekipit mjekësor. Ndërkaq, e mitura ishte gjetur me plagë në katin e fundit të ndërtesës.
Gashi ishte arrestuar në vendngjarje, ndërsa ndaj tij kishin nisur hetimet për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Një ditë pas ngjarjes, Gjykata Themelore në Prizren ia kishte caktuar masën e paraburgimit prej një muaji.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali