LEX | Endrit Nika sillet para trupit gjykues – Rikthehet në gjykatore i akuzuari për vrasjen e argjentinases, pasi Apeli ia rrëzoi dënimin me 18 vjet burg

LEX | Endrit Nika sillet para trupit gjykues – Rikthehet në gjykatore i akuzuari për vrasjen e argjentinases, pasi Apeli ia rrëzoi dënimin me 18 vjet burg

Written by

in

LEX | Endrit Nika sillet para trupit gjykues – Rikthehet në gjykatore i akuzuari për vrasjen e argjentinases, pasi Apeli ia rrëzoi dënimin me 18 vjet burg

Endrit Nika, i akuzuar për vrasjen e rëndë të shtetases argjentinase Maria Clara Urdangaray, është sjellë sot, më 12 tetor 2026, para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është paraparë të vazhdojë procesi i rigjykimit ndaj tij.

Nika po përballet sërish me drejtësinë pasi Gjykata e Apelit e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë, me të cilin ai ishte dënuar me 18 vjet burgim më 19 shkurt 2026.

Gjykata e Apelit kishte konstatuar shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe kishte vendosur që çështja të kthehej në rigjykim, duke kërkuar edhe dëgjimin e dëshmitarëve shtesë.

Çfarë thotë aktakuza?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, më 1 gusht 2023, në hotelin “Sonoma” në Fushë-Kosovë, Endrit Nika dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje me partneren e tij, Maria Clara Urdangaray, fillimisht e kishte goditur dhe kishte tentuar ta shkelte me veturë në parkingun e hotelit.

Prokuroria pretendon se përleshja kishte vazhduar edhe brenda dhomës së hotelit, ku i akuzuari dyshohet se e kishte goditur dhe shtyrë viktimën drejt një qosheje të dhomës.

Sipas organit të akuzës, si pasojë e goditjeve dhe shtyrjeve, ishte shkëputur korniza e dritares dhe viktima kishte rënë nga kati i gjashtë i hotelit.

Maria Clara Urdangaray kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, pavarësisht trajtimit mjekësor, kishte ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Nika nuk e pranon fajësinë.

Në seancën e parë të rigjykimit, të mbajtur më 1 shtator 2026, Endrit Nika ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Mbrojtja e tij, e përfaqësuar nga avokati Tomë Gashi, ka kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë, duke argumentuar se vdekja e argjentinases kishte ndodhur aksidentalisht, për shkak të problemeve me sigurinë dhe konstruksionin e dritares së hotelit.

Nga ana tjetër, Prokuroria ka qëndruar pranë aktakuzës, duke pretenduar se provat do ta dëshmojnë përgjegjësinë penale të të akuzuarit.

Në seancën e mëparshme, shqyrtimi ishte ndërprerë për shkak të kërkesës së mbrojtjes për sigurimin e një përkthyesi të përshtatshëm të gjuhës gjermane.

Procesi gjyqësor po zhvillohet para trupit gjykues të kryesuar nga gjyqtari Gazmend Bahtiri, me anëtarët Alltën Murseli dhe Gëzim Ademi.

Gazeta Sinjali po e përcjell nga afër këtë proces dhe do të raportojë për zhvillimet e seancës së sotme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post LEX | Endrit Nika sillet para trupit gjykues – Rikthehet në gjykatore i akuzuari për vrasjen e argjentinases, pasi Apeli ia rrëzoi dënimin me 18 vjet burg appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali