
Nga vjedhja e rëndë në Ferizaj dhe kanosja ndaj një polici në Prizren, te vrasja e rëndë në Pogragjë të Gjilanit dhe rastet e tjera të vjedhjeve në Lipjan e Partesh, ngjarjet e fundit kanë vënë në lëvizje Policinë në disa rajone të Kosovës.
Sinjali ju sjell përmbledhjen e rasteve kryesore të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Ekskluzive | Tragjedi familjare në Gjilan – babai dyshohet se vrau djalin 29-vjeçar dhe iku me veturë
Një 29-vjeçar ka mbetur i vrarë nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Pogragjë të Gjilanit, mbrëmjen e 11 tetorit.
Për rastin dyshohet babai i viktimës, Ramiz Arifi, i cili pas ngjarjes dyshohet se është larguar me veturë Suzuki.
Policia ka nisur hetimet dhe po ndërmerr veprime për lokalizimin e të dyshuarit.
Ekskluzive | Ky është i dyshuari për vrasjen e djalit në Pogragjë të Gjilanit – Ramiz Arifi dyshohet se iku me Suzuki pas krimit
Ramiz Arifi dyshohet se ka vrarë djalin e tij 29-vjeçar, Bajram Arifi, në fshatin Pogragjë të Gjilanit.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 11 tetorit, rreth orës 19:30. Pas të shtënave me armë zjarri, i dyshuari dyshohet se është larguar me një veturë Suzuki.
Policia është duke e kërkuar, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Ekskluzive | Hajnat hyjnë me forcë në kishën në Partesh – vjedhin tri thika me ngjyrë ari nga vendi ku qëndron prifti
Tri thika me ngjyrë ari janë vjedhur nga një kishë në fshatin Budrikë e Poshtme të Parteshit.
Policia ka vërejtur derën e hapur të objektit fetar mëngjesin e 11 tetorit, ndërsa gjatë kontrollit është konstatuar se persona të panjohur dyshohet se kishin hyrë me forcë.
Rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet për identifikimin e të dyshuarve po vazhdojnë.
Ekskluzive | “Hajni i stiroporit” kapet në Lipjan – dyshohet se shkoi me kombi të bardhë te objekti në ndërtim
Një person dyshohet se ka vjedhur stiropor nga një objekt në ndërtim në rrugën “Shaqir Hoxha” në Lipjan.
Sipas raportimit, i dyshuari, Mentor Fazliu, kishte shkuar në objekt me një kombi të bardhë.
Ai është identifikuar nga Policia dhe, sipas informatave të rastit, e ka pranuar vjedhjen. Ndaj tij është caktuar ndalimi prej 48 orësh.
Klima, agregate e kabllo zhduken nga prona në Lipjan – kapet i dyshuari, pranon vjedhjen e kabllove
Një vjedhje e raportuar rreth dy muaj më parë në fshatin Ribar i Vogël të Lipjanit është zbardhur nga Policia.
Nga prona e ankuesit ishin marrë kabllo elektrike, pjesë sanitare, agregate dhe klima.
I dyshuari, Arben Jashanica, është identifikuar dhe, sipas informatave të rastit, ka pranuar vjedhjen e disa kabllove. Ai është ndaluar për 48 orë.
Detaje të reja nga vrasja në Pogragjë – babai dyshohet se vrau djalin 29-vjeçar në dhomën e ndejes, në shtëpi gjenden armë e municion
Një 29-vjeçar është vrarë mbrëmjen e 11 tetorit në fshatin Pogragjë të Gjilanit.
Për vrasjen dyshohet babai i tij, Remzi Arifi, i cili pas ngjarjes është larguar dhe vazhdon të jetë në arrati.
Gjatë kontrollit në shtëpi, Policia ka gjetur dhe sekuestruar armë e municion. Rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sherr për parkingun te “Abi Center” – burri dyshohet se iu vërsul dhe e kërcënoi policin edhe pasi u prezantua si zyrtar
Një mosmarrëveshje për parkingun te “Abi Center” në Prizren ka përfunduar me kanosje ndaj një zyrtari policor.
Sipas raportimit, i dyshuari dyshohet se e ka ofenduar dhe kërcënuar policin edhe pasi ai është prezantuar si pjesëtar i Policisë.
Rasti është iniciuar si “Kanosje”.
Armë, para, ari e “Gucci” zhduken nga një shtëpi në Ferizaj – hajnat e demoluan komplet objektin
Një shtëpi në rrugën “11 Marsi” në Ferizaj është demoluar dhe plaçkitur më 11 tetor.
Pronari ka raportuar vjedhjen e dy armëve me leje, rreth 2 mijë eurove para të gatshme, stolive të arit, një çante “Gucci” dhe dy orëve të dorës.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa rasti po hetohet si “Vjedhje e rëndë”.
Këto ishin disa nga ngjarjet që shënuan 24 orët e fundit në Kosovë.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post SINJALI 24 | Vrasje, vjedhje e kanosje në disa rajone të Kosovës – çfarë ndodhi gjatë 24 orëve appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali