LEX | Nuk u pajtuan për punën e djalit te axha i tij, burri e goditi gruan me shuplakë në fytyrë – dënohet me një vit burgim

LEX | Nuk u pajtuan për punën e djalit te axha i tij, burri e goditi gruan me shuplakë në fytyrë – dënohet me një vit burgim

Written by

in

LEX | Nuk u pajtuan për punën e djalit te axha i tij, burri e goditi gruan me shuplakë në fytyrë – dënohet me një vit burgim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me një vit burgim efektiv të pandehurin S.K., pasi u shpall fajtor për lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëshortes së tij, Xh.K., pas një mosmarrëveshjeje familjare lidhur me punësimin e djalit të tyre te axha i tij.

Sipas komunikatës zyrtare të Gjykatës, aktgjykimi dënues është shpallur më 19 nëntor 2026 nga gjyqtarja Mimoza Maloku Shabani, në Departamentin e Përgjithshëm – Divizionin Penal.

Ngjarja kishte ndodhur më 13 korrik 2026, rreth orës 20:00, në shtëpinë e çiftit, në një fshat të Komunës së Ferizajt.

Sipas përshkrimit të rastit, i pandehuri ishte kthyer nga puna dhe fillimisht kishte ofenduar bashkëshorten me fjalë të rënda.

Situata kishte përshkallëzuar pasi gruaja i kishte thënë:

“Nuk duhet djali ynë me shku me punu te axha i tij”.

Pas këtyre fjalëve, S.K. e kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten, duke e kapur dhe shtrënguar në krahun e djathtë, e më pas duke e goditur me shuplakë në fytyrë.

Si pasojë, viktima kishte pësuar lëndime të lehta trupore dhe dëmtime të përkohshme të shëndetit, të cilat janë konstatuar përmes ekspertizës mjekoligjore të datës 31 gusht 2026.

Gjykata e dërgon në paraburgim pas dënimit

Përveç dënimit me një vit burgim efektiv, Gjykata ka marrë edhe një vendim të veçantë për caktimin e paraburgimit ndaj S.K.

Masa do të vlejë derisa aktgjykimi të marrë formën e prerë, por jo më gjatë se kohëzgjatja e dënimit të shqiptuar.

Sipas arsyetimit të Gjykatës, sjellja e mëparshme e të pandehurit, karakteristikat personale dhe kushtet në të cilat jeton tregojnë se ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale.

I pandehuri është dënuar për veprën penale “Lëndimi i lehtë trupor”, nga neni 185, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Palët kanë të drejtë ankese brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit në formë të shkruar, përmes Gjykatës Themelore në Ferizaj, drejtuar Gjykatës së Apelit.

Shënim: Personat e apostrofuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali