
Seanca në rastin “Capat dhe Sekiraqët” nisi në orën 09:00 në Departamentin e Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Seanca u ndërpre paradite, pasi debati mes palëve për dëgjimin dhe publikimin e përgjimeve u tensionua dhe i akuzuari Salih Sekiraqa kërkoi të kthehej në qeli, raporton Gazeta Sinjali.
Gjykata konstatoi në fillim se të gjitha palët ishin të pranishme dhe se ishin plotësuar kushtet për mbajtjen e seancës. Trupi gjykues mori aktvendim për administrimin e raportit të ekspertizës forenzike për predhat metalike të gjetura në trupin e viktimës. Palët nuk patën vërejtje për raportin.
Sekiraqa kërkon publikimin e përgjimeve, mbrojtja e Gashit kërkon privatësi
Debati nisi kur gjykata kaloi te audioincizimet e siguruara përmes masave të fshehta hetimore. Mbrojtësi i Korab Gashit kërkoi që komunikimet e të akuzuarit me bashkëshorten për çështje familjare të mos dëgjoheshin në prani të publikut. Ai kërkoi nga Prokuroria të shpjegonte rëndësinë e këtyre bisedave për rastin dhe të tregonte minutat e sekondat e pjesëve që donte të dëgjoheshin.
Sipas mbrojtjes, pikërisht kjo çështje kishte çuar në shtyrjen e seancës së kaluar. Mbrojtësi tha se kishte pritur që Prokuroria t’i sillte pjesët e përzgjedhura, ndërsa edhe në këtë seancë kërkoi që gjykata të garantonte privatësinë e familjes së Gashit.
Prokurori i Shtetit tha se palët ishin dakorduar më herët që të përqendroheshin te pjesët me rëndësi për rastin. Ai tha se nuk shihte arsye që publiku të mos i dëgjonte ato pjesë dhe se ishte kujdesur që të mos përfshinte bisedat personale.
Salih Sekiraqa kërkoi që të publikoheshin të gjitha përgjimet dhe që mediat të mund t’i publikonin edhe pamjet.
“Gjykimin po ma jepni në emër të popullit, unë po du me pa krejt populli se qysh kanë dasht me m’likuidu”, tha Sekiraqa.
Edhe mbrojtja e Sekiraqës kërkoi respektimin e parimit të publicitetit dhe që mediat të qëndronin në sallë. Sipas saj, publiku duhej të kishte qasje në provat që lidhen me mënyrën se si ndodhi ngjarja, me personat që ishin në vendin e ngjarjes dhe me pretendimet se kush e organizoi atë. Mbrojtja përmendi edhe pamjet që lidhen me hyrjen nga ballkoni dhe tha se nuk kundërshtonte publikimin e përgjimeve të të mbrojturit të saj.
Gjatë debatit, Korab Gashi tha se përgjimet mund të publikoheshin dhe pretendoi se përmbajtja e tyre mund t’i jepte Prokurorisë shkas për të ngritur aktakuza të tjera për fajde dhe vepra të tjera. I akuzuari Robert Llumnica tha se e autorizonte mbrojtësin e tij t’ua vinte mediave në dispozicion të gjitha shkresat e lëndës. Ai deklaroi se ishte plagosur 13 herë dhe kërkoi që shkresat të bëheshin publike.
“Qomni në qeli, ju lutna” – seanca ndërpritet pas përplasjes në sallë
Pas ndërhyrjeve të mbrojtësve gjatë debatit, Sekiraqa iu drejtua me tone të ashpra mbrojtësit të Korab Gashit, duke e quajtur “shpifës” dhe “mashtrues”. Ai tha se nuk mund ta dëgjonte më dhe kërkoi të kthehej në qeli.
“Qomni në qeli, ju lutna, nuk muj me nejt ma”, tha Sekiraqa. Seanca u ndërpre pas këtij reagimi.
Seanca rifillon pasdite, në sallë dëgjohen përgjimet
Gjykimi rifilloi pasdite dhe u bë e ditur se seanca do të videoincizohej në tërësi. Gjyqtarja u kërkoi mediave të tregojnë kujdes dhe të mos publikojnë pjesët e përgjimeve që kanë të bëjnë me çështje familjare.
Në njërin prej audioincizimeve, Korab Gashi dëgjohet duke i thënë një familjari se po priste të vinte ekspertiza. “Nuk kena bo kurgjo për me na majt”, dëgjohet të thotë ai. Në një pjesë tjetër dëgjohet duke thënë: “Nuk mujnë me ma gjuajt mua, kam qenë 30–40 metra larg”. Në një tjetër bisedë të dëgjuar në sallë, Gashi përmendi Llumnicën dhe tha se të nesërmen “e ka leximin”.
Gashi deklaroi në sallë se ishte paraqitur sikur të kishte qenë në vende të ndryshme dhe tha se ishte plagosur në organe vitale. Ai kërkoi që bisedat me familjen të mos përdoreshin në gjykim.
“Kam duru qe sa, s’kam fol asgjë. Mos m’i përdorni çka kom fol me familjen tem, sene familjare”, tha Gashi.
Shënim: Personat e apostrofuar konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali