
Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka shpallur fajtorë Hisni dhe Bujar Ibishin për vrasjen e kushëririt të tyre, Ismet Ibishi, duke i dënuar me nga 24 vjet e gjashtë muaj burgim.
Vrasja kishte ndodhur më 12 shkurt 2025, në një kafiteri në sheshin “Adem Jashari” në Skënderaj.
Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, Gjykata e ka rikualifikuar veprën penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje në bashkëkryerje”. Të dy të akuzuarit ngarkoheshin edhe për armëmbajtje pa leje.
Gjyqtari Izet Gërguri ka arsyetuar se provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor, veçanërisht video-incizimi, nuk kanë provuar se të pandehurit kishin rrezikuar edhe persona të tjerë.
Pala e dëmtuar është shprehur e pakënaqur me vendimin dhe ka paralajmëruar ankesë. Në fjalën përfundimtare, ajo kishte kërkuar burgim të përjetshëm për të dy të akuzuarit, duke kërkuar që të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese.
Shënim: Aktgjykimi i shkallës së parë mund të ankimohet dhe nuk është i formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali