Lista Serbe ka reaguar pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, duke thënë se do të vazhdojë të angazhohet për ruajtjen e vendeve të punës, pagave dhe mbështetjes financiare nga buxheti i Serbisë për serbët në Kosovë.
Në një komunikatë pas mbledhjes së Kryesisë së Zgjeruar, kjo parti ka bërë të ditur se ka shqyrtuar situatën aktuale politike dhe të sigurisë, si dhe pozitën e komunitetit serb në Kosovë.
Në komunikatë, partia ka thënë se do të kundërshtojë çdo veprim që mund të rrezikojë vendet ekzistuese të punës, pagat e punonjësve, investimet, punësimet e reja dhe përfitimet sociale që financohen nga buxheti i Serbisë.
Ajo ka kërkuar gjithashtu mbrojtjen e institucioneve që funksionojnë në sistemin e Serbisë, duke veçuar Kishën Ortodokse Serbe, objektet fetare dhe pronat e saj, si dhe institucionet shëndetësore dhe arsimore.
Burimi: Dukagjini
