
Rasti i lopës që hyri në oborrin e Gjykatës në Graçanicë, ndërsa pronari i saj përfundoi në ndalim për 48 orë me urdhër të Prokurorisë, është shumë më tepër sesa një ngjarje e pazakontë.
Ky rast, nëse rrethanat e raportuara konfirmohen, tregon një disproporcionalitet shqetësues në reagimin e organeve të rendit dhe ligjit dhe ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si ushtrohet autoriteti prokurorial në Kosovë.
Është e papranueshme që qytetarët të krijojnë përshtypjen se institucionet e drejtësisë kanë më shumë energji për të ndëshkuar një qytetar për një incident të tillë sesa për të trajtuar krimet e rënda, korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin.
Ky rast nuk duhet të shndërrohet në objekt talljeje, sepse pas tij qëndron liria e një qytetari dhe përgjegjësia e institucioneve.
Reagimi i qytetarëve është bërë edhe më domethënës përmes një shprehjeje ironike që po qarkullon në opinion:
“Ajo është lopë dhe ka hyrë në oborr të Gjykatës, ndërsa unë nuk hyj asnjëherë!”
Kjo fjali, sado ironike të duket, është një pasqyrim i hidhur i humbjes së besimit të qytetarëve në drejtësi.
Kur qytetari fillon ta perceptojë gjykatën jo si institucion ku kërkohet drejtësi, por si hapësirë prej së cilës duhet të ruhet distanca, atëherë kemi një problem shumë më të madh sesa një incident me një kafshë.
Prandaj, shtrohen tri pyetje thelbësore:
1. Cilat ishin arsyet konkrete ligjore që e bënë të domosdoshëm privimin nga liria të pronarit të lopës?
2. A është zbatuar parimi i proporcionalitetit dhe a janë shqyrtuar masat alternative?
3. A do të kërkojë Prokuroria e Shtetit përgjegjësi dhe sqarim institucional për këtë vendim?
Kosova nuk ka nevojë për demonstrim të autoritetit ndaj qytetarëve, por për institucione që dëshmojnë profesionalizëm, integritet dhe barazi para ligjit.
Sepse një lopë mund të hyjë në oborrin e Gjykatës, por besimi i qytetarëve në drejtësi nuk duhet të përfundojë në mbajtje!
Burimi: Insajderi