Mali i Zi do të bëhet anëtari i radhës i BE-së deri në vitin 2028, thotë presidenti Milatoviq

Mali i Zi do të bëhet anëtari i radhës i BE-së deri në vitin 2028, thotë presidenti Milatoviq

Written by

in

Presidenti i Malit të Zi thotë se vendi i tij është “plotësisht në rrugën e duhur” për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit Evropian në vitin 2028.

Në një prononcim për Euronews, në prag të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, Jakov Milatoviq ka thënë se shpreson që bisedimet të përmbyllen brenda fundit të këtij viti dhe që traktati i anëtarësimit të nënshkruhet deri verën e ardhshme.

Mali i Zi ka mbyllur përkohësisht 25 nga 33 kapitujt e negociatave, ndërsa çdo traktat do të duhet të ratifikohet nga të 27 vendet anëtare të BE-së.

Kroacia, vend anëtar i BE-së, kërkon që Mali i Zi të zgjidhë një mosmarrëveshje të kahershme kufitare përpara se të lejojë anëtarësimin e tij në bllok.

Që nga shpërbërja e Jugosllavisë në vitet ’90, të dyja vendet kanë pasur mosmarrëveshje lidhur me gadishullin e Prevlakës – një rrip i vogël toke me rëndësi strategjike, i cili kontrollon hyrjen në Gjirin e Kotorrit.

Milatoviq deklaroi se të dyja qeveritë po punojnë për arritjen e një marrëveshjeje, duke sugjeruar se, nëse nuk arrihet një dakordësi, çështja mund t’i dërgohet një gjykate ndërkombëtare.

Ai theksoi gjithashtu përparimin e bërë në drejtim të pavarësisë së gjyqësorit dhe luftës kundër krimit të organizuar.

Milatoviq u shpreh se anëtarësimi i Malit të Zi do të përcillte një “sinjal pozitiv” për vendet e tjera që presin t’i bashkohen bllokut, duke dëshmuar se BE-ja është në gjendje t’i mbajë premtimet e saj.

Ai shtoi se pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia e ka shndërruar procesin e zgjerimit në një çështje të sigurisë evropiane.

I pyetur se çfarë do të ndodhte nëse Mali i Zi nuk arrin objektivin e tij për vitin 2028, ai u përgjigj: “Nëse Mali i Zi dështon në këtë drejtim, atëherë do të jetë edhe dështim i vetë BE-së”. /Telegrafi/