Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, dhe komandanti i FSK-së Bashkim Jashari, janë takuar të enjten me komandantin suprem të Forcave Aleate të NATO-s në Evropë (SACEUR), njëherësh komandantin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USEUCOM), gjeneralin Alexus G. Grynkewich.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes, gjatë takimit u diskutua për zhvillimet në fushën e mbrojtjes, bashkëpunimin me shtetet anëtare të NATO-s dhe progresin në fuqizimin e modernizimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Maqedonci e njoftoi gjeneralin Grynkewich për investimet në ngritjen e kapaciteteve mbrojtëse, avancimin profesional të personelit, si dhe prokurimin e sistemeve të armatimit dhe pajisjeve në përputhje me standardet e NATO-s.
Me këtë rast, gjenerali Grynkewich vlerësoi progresin e arritur nga FSK-ja dhe investimet e Kosovës në zhvillimin e ushtrisë.
Ministri Maqedonci shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për kontributin e KFOR-it në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.
Burimi: Dukagjini
