Maqedonci në Konferencën e Sigurisë në Berlin, diskuton me zyrtarë të lartë të SHBA-së, Gjermanisë dhe NATO-s

Maqedonci në Konferencën e Sigurisë në Berlin, diskuton me zyrtarë të lartë të SHBA-së, Gjermanisë dhe NATO-s

Written by

in

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Berlin (Berlin Security Conference), ku ishte panelist në një debat të nivelit të lartë për parandalimin e ndërhyrjes ruse, së bashku me përfaqësues të NATO-s dhe Gjermanisë.

Gjatë diskutimit me temën “Parandalimi përmes vigjilencës: Si të frenohet ndërhyrja ruse?”, janë trajtuar kërcënimet që burojnë nga ndërhyrjet dhe ndikimi rus, sfidat aktuale të sigurisë evropiane dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet aleatëve dhe partnerëve për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit.

Në kuadër të kësaj konference, Maqedonci ka zhvilluar edhe takime bilaterale me përfaqësues të lartë të SHBA-së, Gjermanisë dhe NATO-s.

Në takimin me zëvendëskomandantin për Integrim në Komandën e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë (USAREUR-AF), gjeneralmajor Christian Nawrat, është diskutuar për prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes, planin strategjik katërvjeçar, zhvillimin e sistemit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse dhe nismën ligjore për krijimin e Zonës së Industrisë për Mbrojtje. Gjithashtu, është trajtuar synimi i Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut (A5).

Ndërkaq, në takimin me ministrin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Florian Hahn, është diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon, thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, si dhe forcimin e partneritetit në fushën e mbrojtjes dhe industrisë ushtarake.

Sipas njoftimit, vëmendje i është kushtuar edhe avancimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, me ç’rast Hahn ka rikonfirmuar mbështetjen e Gjermanisë për proceset integruese dhe perspektivën euroatlantike të vendit.

Maqedonci është takuar edhe me ambasadorin Detlef Wächter, përfaqësuesin e përhershëm të Gjermanisë në NATO. Në këtë takim është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, mundësitë për trajnim dhe edukim të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) përmes shkollave dhe kurseve të NATO-s, si dhe mbështetjen për synimin e Kosovës për anëtarësim në këtë aleancë.

Gjatë vizitës në Berlin, ministri Maqedonci ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e diplomimit të kadetëve të FSK-së, të organizuar në Ambasadën e Kosovës në Gjermani.

Kadetët kanë përfunduar studimet trevjeçare në akademitë ushtarake gjermane, në drejtimet e këmbësorisë, logjistikës, IT-së ushtarake dhe policisë ushtarake. Pas diplomimit, ata do t’i bashkohen trupës së oficerëve të Ushtrisë së Kosovës.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, këto takime dhe aktivitete synojnë thellimin e partneritetit strategjik me Gjermaninë, SHBA-në dhe NATO-n, zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe avancimin e integrimit euroatlantik të vendit.