Mazreku kundërshton idenë për shndërrimin e Parkut të Mirushës në projekt biznesor, Komuna: Do të mbetet hapësirë publike

Mazreku kundërshton idenë për shndërrimin e Parkut të Mirushës në projekt biznesor, Komuna: Do të mbetet hapësirë publike

Written by

in

E ardhmja e Parkut të Mirushës në Malishevë është bërë temë diskutimi pas shqetësimeve të ngritura nga kryetari i degës së PDK-së në Malishevë, Mevludin Mazreku, lidhur me mundësinë e shndërrimit të kësaj hapësire në një projekt biznesor.

Mazreku ka kundërshtuar një ide të tillë, duke kërkuar që parku të ruhet si hapësirë publike dhe të vazhdojnë investimet për përmirësimin e kushteve për qytetarët.

Ai ka rikujtuar se Komuna e Malishevës ka investuar disa herë në këtë park, ndërsa investimi i fundit, sipas tij, ka qenë mbi 200 mijë euro. Mbështetje financiare për parkun, sipas Mazrekut, kanë dhënë edhe Qeveria, donatorë dhe organizata ndërkombëtare.

Kryetari i degës së PDK-së në Malishevë, Mevludin Mazreku

“Gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit është promovuar si projekt për ta avancuar këtë park. Si të tillë e kanë përkrahur edhe banorët e fshatit Mirushë dhe komuniteti në përgjithësi”, tha Mazreku për Telegrafin.

Ai ka ngritur shqetësime për idenë e shndërrimit të parkut në projekt biznesor, duke pretenduar se ajo ka ardhur nga grupe të interesit të lidhura me pushtetin.

“Si subjekt, ne i mbështesim edhe banorët e Mirushës që kjo hapësirë të ruhet dhe të investohet për t’i përmirësuar kushtet e këtij parku”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, në një përgjigje për Telegrafin, Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se synimi është që Parku i Mirushës të shndërrohet në një park model, jo vetëm për këtë komunë, por për tërë Kosovën.

“Për herë të parë pas shumë vitesh është ndërmarrë një nismë serioze që kësaj hapësire t’i jepet forma, funksioni dhe pamja që e meriton”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Komuna ka bërë të ditur se njëra nga mundësitë që po shqyrtohet është partneriteti publiko-privat, pasi një projekt i këtij niveli kërkon investime të konsiderueshme.

Megjithatë, në sqarimin e saj, Komuna ka theksuar se kjo nuk nënkupton humbjen e karakterit publik të parkut.

“Parku i Mirushës nuk do ta humbasë karakterin e tij publik dhe funksionin në shërbim të qytetarëve. Nuk synohen ndërtime që e dëmtojnë apo e ngarkojnë hapësirën, por përmbajtje rekreative, sportive, turistike dhe shërbyese, siç i gjejmë në parqet moderne evropiane”, thuhet në përgjigje.

Parku i Mirushës në Malishevë

Sa u përket akuzave për favorizim të grupeve të caktuara të interesit, Komuna ka deklaruar se procesi do të jetë i hapur, transparent dhe konkurrues.

“Thirrjet publike janë të hapura për të gjithë të interesuarit dhe synimi është që, përmes një procesi konkurrues, të përzgjidhet oferta dhe koncepti më i mirë për zhvillimin e parkut”, thuhet në sqarimin e Komunës.

Sipas Komunës, nëse nuk paraqiten oferta që përmbushin kriteret, standardet dhe vizionin e saj, projekti nuk do të realizohet me çdo kusht.

Po ashtu, Komuna ka sqaruar se çdo procedurë për dhënien në shfrytëzim të pronës komunale kalon përmes Kuvendit të Komunës dhe i nënshtrohet shqyrtimit të ligjshmërisë nga institucionet dhe ministritë kompetente.

“Interesi ynë është që pas shumë vitesh Parku Mirusha të marrë pamjen që meriton dhe qytetarët e të gjitha moshave, pa dallim, të kenë një park modern, funksional dhe model për gjithë Kosovën”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Malishevës. /Telegrafi/