
Bota shënon sot, më 2 nëntor, Ditën Ndërkombëtare për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së krimeve kundër gazetarëve, me vëmendjen e përqendruar te siguria e punonjësve të mediave dhe mungesa e drejtësisë për viktimat e sulmeve ndaj tyre.
Të dhënat e prezantuara në kuadër të kësaj dite tregojnë për një realitet shqetësues: më shumë se 1.000 gazetarë janë vrarë gjatë 14 vjetëve të fundit për shkak të punës së tyre, ndërsa në nëntë nga dhjetë raste autorët e këtyre krimeve nuk përballen me drejtësinë.
Kjo ditë është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2013, përmes Rezolutës A/RES/68/163, me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit për dhunën ndaj gazetarëve dhe luftimin e kulturës së pandëshkueshmërisë.
UNESCO paralajmëron se mungesa e ndëshkimit për krimet ndaj gazetarëve nuk kërcënon vetëm jetën e tyre, por dëmton edhe shoqërinë në tërësi, pasi krijon hapësirë për fshehjen e shkeljeve të të drejtave të njeriut, korrupsionit dhe krimit.
Përmes rezolutës, OKB-ja u ka bërë thirrje shteteve anëtare që të marrin masa konkrete për parandalimin e sulmeve ndaj gazetarëve, hetimin e rasteve dhe vënien para përgjegjësisë të personave që kryejnë këto vepra. Po ashtu, kërkohet që viktimave t’u sigurohet qasje në drejtësi dhe mjete juridike efektive.
Data 2 nëntor është zgjedhur në kujtim të dy gazetarëve francezë, të vrarë në Mali më 2 nëntor 2013.
Kjo ditë shërben si një thirrje për institucionet që të garantojnë lirinë e medias, mbrojtjen e gazetarëve dhe ndëshkimin e çdo forme të dhunës ndaj tyre.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali