Numri i ankesave për qasje në dokumente publike në Kosovë ka shënuar rritje të madhe gjatë viteve të fundit, por kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht rritje të transparencës së institucioneve.
Kështu ka deklaruar Krenare Sogojeva-Dermaku nga Agjencia për Informim dhe Privatësi, në emisionin “FIVE” në Dukagjin, e cila ka bërë të ditur se nga 141 ankesa sa ishin paraqitur në vitin 2021, numri i tyre tashmë ka arritur në mbi 1 mijë.
Sipas saj, kjo rritje tregon se qytetarët janë më të informuar për të drejtën e tyre për të kërkuar dokumente publike dhe se tashmë e dinë se ku mund të drejtohen kur u mohohet kjo e drejtë.
Megjithatë, Sogojeva-Dermaku ka theksuar se një ndër problemet mbetet hezitimi i institucioneve për të ofruar qasje në dokumentet e kërkuara.
“Nëse flasim për fushën e qasjes në dokumente publike numri i ankesave që është paraqitur te ne për vite me radhë tregon se ka një rritje të numrit të 10fishuar nëse kemi nisur vitin 2021 me 141 ankesa sot kemi 1000 ankesa ose më shumë deri në fund të vitit këto janë fusha që tregojnë rritjen e këtij numri por jo domosdoshmërisht edhe rritjen e transparencës institucionale – tash qytetarët e kanë mësuar që ka një institucion ku mund të ankohen ndërsa në anën tjetër ka hezitim nga institucionet që mos me ofru qasje. Përpara kanë qenë procedura të prokurimit përpara ka pasur kërkesa shumë më të thjeshta si plane të fushëveprimit ndërsa tash ka fokus më të madh në dosje të gjithë një shërbimi që ofron një institucion i caktuar, këtu pastaj kemi përballje edhe me të dhëna personale të cilat duhet të analizohen dhe institucionet skane shërbim që ti fshehin këto të dhëna dhe ka raste kur qytetarët duhet të shkojnë fizikisht pasi nuk ka një shërbim digjital. Numri i ankesave na tregon që ka rritje të kërkesave për qasje në dokumente”, u shpreh Sogojeva-Dermaku.
Për të lehtësuar qasjen në informata, ajo ka thënë se Agjencia nuk e ka prioritet ndëshkimin e institucioneve, por nxjerrjen e informacionit publik dhe sigurimin që qytetarët të marrin përgjigje brenda afateve ligjore.
Sa u përket masave ndëshkuese, Sogojeva-Dermaku ka bërë të ditur se gjoba më e lartë e shqiptuar për shkelje në fushën e qasjes në dokumente publike është 13 mijë euro, ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Ndërkaq, në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale, ajo ka thënë se Agjencia ka shqiptuar gjobë deri në 50 mijë euro ndaj një kompanie të sigurimeve.
“Gjithçka që ne bëjmë është që me çdo kusht të nxjerrim informatën publike dhe përveç afateve nga 7 ditë ne për lëshimin e një vendimi a shkrese i kontaktojmë nëpërmjet telefoni që ta nxjerrim informatën publike dhe jo vetëm ta gjobisim institucionin. Asnjëherë nuk e kemi pas prioritet gjobitjen e institucioneve, sot ka një përgjegjësi më të lartë të institucioneve me dhënien e qasjes në dokumente publike dhe kjo nuk ju konvenon institucioneve publike. Kemi institucione më të ndërgjegjësuara dhe rritje të qytetarëve që kërkojnë qasje ndërkaq kemi pengesa në dokumente që kërkojnë një procedurë të gjatë deri në marrjen e një vendimi dhe kur kërkohen si tërësi janë shumë dokumente dhe duhet kohë për përpunimin e të dhënave. Për qasje në dokumente publike gjobën më të madhe e kemi 13 mijë euro që e kemi shqiptuar ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme ndërkaq për mbrojtjen e të dhënave kemi shqiptuar gjobë deri në 50 mijë euro ndaj një kompanie të sigurimeve”, u shpreh Sogojeva-Dermaku.
Burimi: Dukagjini
