
Pas gati tri dekadash ankthi e pritjeje, sot është rivarrosur në Kompleksin Memorial në Marinë të Skënderajt Heroi i Kosovës, Idriz Rrecaj, i cili u rrëmbye dhe u zhduk me dhunë nga forcat serbe më 19 prill 1999.
Në ceremoninë solemne të rivarrimit morën pjesë familjarë, miq, bashkëveprimtarë dhe përfaqësues të shumtë institucionalë, për të nderuar jetën, veprën dhe kontributin e jashtëzakonshëm të tij për lirinë e vendit.
Paraprakisht, nën organizimin e Komunës së Skënderajt, në Shtëpinë e Kulturës “Hasan Prishtina” u mbajt Akademia Përkujtimore, ndërsa qytetarët bënë homazhe pranë arkivolit në Sallën Sportive “Ilaz Kodra”, transmeton Klankosova.tv.
Idriz Rrecaj ishte personalitet i shquar i jetës publike, mësues, inxhinier i bujqësisë dhe veprimtar i palodhur i çështjes kombëtare.
Ai dha kontribut të çmuar në organizimin e rezistencës, mbajtjen gjallë të arsimit shqip, procesin e pajtimit të gjaqeve, solidaritetin popullor dhe mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për meritat e tij sublime, në vitin 2019 ai u dekorua me urdhrin e lartë “Hero i Kosovës”.
Rrecaj ishte pjesë e “Grupit të Intelektualëve”, ku së bashku me 22 bashkëqytetarë të tjerë nga Skënderaj, Mitrovica dhe Vushtrria u rrëmbyen dhunshëm nga forcat serbe gjatë luftës, në prill të vitit 1999.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka shprehur mirënjohje për familjet dhe shoqatat për qëndresën e tyre, duke ritheksuar përkushtimin institucional për zbardhjen e fatit të të gjithë personave të zhdukur me dhunë.