Mbi 31 milionë euro në gjashtë muaj janë mbledhur nëpër pikëpagesat rrugore në Maqedoni

Mbi 31 milionë euro në gjashtë muaj janë mbledhur nëpër pikëpagesat rrugore në Maqedoni

Written by

in

Kolonat e gjata para pikave të pagesës rrugore, ndalimi i automjeteve dhe humbja e kohës gjatë udhëtimit mund të bëhen gradualisht pjesë e së kaluarës, nëse vendi realizon planin për modernizimin e sistemit të pagesës së taksave rrugore.

Institucionet përgjegjëse po shqyrtojnë një model të ri që do të mundësonte lëvizje më të shpejtë të automjeteve, përdorim më të madh të pagesave elektronike dhe modernizim të infrastrukturës rrugore.

Sipas Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, po bëhen analiza për vendosjen e një sistemi modern të pagesës, me pajisje elektronike TAG në hyrje dhe dalje të autostradave.

Ky institucion thekson se analizat e para janë përqendruar te rruga Kërçovë–Ohër, ndërsa më pas po shqyrtohet mundësia e zbatimit të këtij sistemi edhe në segmentet e autostradave të tjera.

“Po shqyrtohen mundësitë për një qasje të re ndaj pagesës së taksave rrugore. Planet tona përqendrohen në rrugën Kërçovë–Ohër, si dhe në autostradat që janë në ndërtim në kuadër të Korridorit 8 dhe Korridorit 10d, ku po punohet në kuadër të projektit me kompaninë „Bechtel dhe Enka“. Përkatësisht, po shqyrtojmë mundësinë e hyrjes dhe daljes në çdo nyje të autostradës. Për këtë nevojitet organizimi i hyrjeve dhe daljeve në nyjet rrugore, pasi bëhet fjalë për ndërhyrje të mëdha ndërtimore. Që të regjistrohet lëvizja e automjeteve dhe të mundësohet llogaritja përkatëse e pagesës, infrastruktura duhet të përshtatet me modelin e përzgjedhur. Kjo nënkupton ndërhyrje serioze ndërtimore dhe teknike, veçanërisht në segmentet ku infrastruktura ekzistuese nuk i plotëson kushtet e nevojshme.” thanë nga Ndërmarra Publike për Rrugë Shtetërore.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2026, shteti ka arkëtuar një shumë rekord prej 1,92 miliardë denarësh, ose pak më shumë se 31 milionë euro nga pagesat e taksave rrugore.

Krahasuar me vitin e kaluar, janë arkëtuar 21,9 milionë denarë më shumë, përkatësisht rreth 350.000 euro.

Nga pagesat e taksave rrugore gjatë vitit të kaluar janë realizuar të ardhura në vlerë prej mbi 67 milion euro.

Sipas Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, pika më e frekuentuar e pagesës së taksave rrugore është ajo në Tetovë.

Ndërkaq, sipas mjeteve të mbledhura dhe çmimit të biletave, të ardhurat më të larta regjistrohen në pikën e pagesës në Rramanli, pranë Kumanovës.

Pas saj renditen pikat e pagesës në Miladinoc, Petrovec, Gllumovë, Zhelinë, Tetovë, Stobi, Preod, Gostivar, Sopot, Gjevgjeli, Kadrifakovë, Otovicë dhe Demir Kapi./Alsat.mk