
Shërbimi i Emergjencës në Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë është përballur me fluks të madh të pacientëve gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave të këtij institucioni, nga janari deri në shtator, gjithsej 25 mijë e 625 pacientë kanë marrë kujdes emergjent shëndetësor, transmeton Klankosova.tv.
Ngarkesa më e madhe është vërejtur në shërbimet emergjente ortopedike, internistike dhe kirurgjike.
Përballë kësaj situate, nga Spitali i Mitrovicës u kanë bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë zinxhirin e referimit shëndetësor, në mënyrë që rastet me rrezik për jetën të marrin trajtimin e nevojshëm sa më shpejt.
Qytetarëve u është rekomanduar që për kontrolle rutinore dhe probleme shëndetësore që nuk paraqesin rrezik akut, fillimisht t’u drejtohen Urgjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) ose ambulancave më të afërta.
Ndërsa në Emergjencën e Spitalit duhet të paraqiten rastet pas vlerësimit dhe udhëzimit nga mjeku familjar, si dhe urgjencat e mirëfillta, përfshirë aksidentet, traumat e rënda, dhimbjet akute të kraharorit dhe vështirësitë serioze në frymëmarrje.