Gjykimi ndaj tre të akuzuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, do të vazhdojë më 11 nëntor 2026, nga ora 13:30, në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka konfirmuar për KosovaPress se tashmë është caktuar kryetari i ri i trupit gjykues, duke krijuar kushtet që procesi gjyqësor të vazhdojë pas ndërprerjes së seancës së fundit.
Seanca e fundit për këtë rast ishte mbajtur më 19 tetor, megjithatë, data e vazhdimit të gjykimit nuk ishte caktuar, pasi kryetari i atëhershëm i trupit gjykues, Vesel Ismaili, kishte njoftuar se do të përfundonte karrierën e tij profesionale për shkak të pensionimit.
Pensionimi i tij kishte bërë të nevojshëm caktimin e një kryetari të ri të trupit gjykues për vazhdimin e shqyrtimit të kësaj çështjeje.
Tashmë, me caktimin e kryetarit të ri, procesi gjyqësor pritet të vazhdojë më 11 nëntor.
Në këtë rast, të akuzuar janë vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq, si dhe Igor Dimoviq, të cilët po përballen me akuza të ngritura nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Rasti lidhet me shpërthimin në fshatin Varagë të Zubin-Potokut, ku ishte dëmtuar rëndë një pjesë e kanalit të Ibër-Lepencit, infrastrukturë me rëndësi të veçantë për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për funksionimin e sektorit energjetik në Kosovë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, vëllezërit Viqentijeviq dyshohen se, në bashkëpunim me persona të tjerë ende të paidentifikuar, kishin vendosur një sasi të konsiderueshme eksplozivi në brendësi të kanalit, me qëllim të dëmtimit të infrastrukturës jetike dhe rrezikimit të sigurisë së vendit.
Nga shpërthimi ishin shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa ishte rrezikuar furnizimi me ujë dhe prodhimi i energjisë elektrike./A.Shala
Të tre të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta. /Telegrafi/