
Drejtoresha e organizatës “Down Syndrome Kosova”, Sebahate Hajdini-Beqiri, ka rrëfyer për sfidat, emocionet dhe rrugëtimin e saj si nënë e një fëmije me sindromën Down, pasi djali i saj, Genci, u diagnostikua me këtë sindromë.
E ftuar në emisionin “Kosova Today”, ajo foli hapur për përjetimet e një nëne, vështirësitë me të cilat është përballur dhe forcën që ka gjetur për të vazhduar përpara.
Hajdini-Beqiri tregoi se, pavarësisht sfidave, Genci është bërë një pjesë e rëndësishme e formimit të saj si person, duke e mësuar të luftojë dhe duke ia zhvilluar edhe më shumë ndjeshmërinë ndaj të tjerëve.
“Pavarësisht sfidave, nuk ka qenë aspak e lehtë dhe ka momente që edhe sot nuk janë të lehta. Pavarësisht se Genci sot është një djalë shumë i pavarur, është një djalë që më ka ndryshuar si personalitet, më ka mësuar të luftoj, ma ka zhvilluar shumë empatinë dhe më ka bërë t’i shoh gjërat përtej vetes dhe familjes”, u shpreh ajo.
Ajo foli edhe për përballjen me rrethin shoqëror dhe sfidat e përditshme, duke thënë se, mbi të gjitha, është gjithmonë e lumtur që Genci është djali i saj.
“Pavarësisht sfidave dhe ballafaqimit me rrethin, jam ndier gjithmonë e lumtur që Genci është fëmija im. I kam premtuar në heshtje se do t’i qëndroj gjithmonë pranë...”, tha Hajdini-Beqiri në Klan Kosova.