UNESCO-ja mbron trashëgiminë botërore të paçmueshme, dëshmi e jetës dhe e veprimtarisë njerëzore ndër shekuj. Ajo numëron 194 vende anëtare, të cilët së bashku synojnë mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore në mbarë botën. Konventa e vitit 1972 për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe Natyrore Botërore përcaktoi se disa pasuri kulturore dhe natyrore kanë vlerë të jashtëzakonshme universale dhe duhet të konsiderohen pjesë e trashëgimisë së përbashkët të njerëzimit.
Në listat dhe regjistrat e UNESCO-s bëjnë pjesë pasuri materiale e shpirtërore shqiptare, të cilat, së bashku, përfaqësojnë vlerat e gjithanshme të kulturës dhe të natyrës shqiptare.
Ndër pasuritë shqiptare të përfshira në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s janë Butrinti, i njohur për peizazhin e larmishëm dhe dëshmitë arkeologjike të kulturave të ndryshme, përfshirë atë greko-romake; si dhe qendrat historike të Beratit, të njohur si qyteti i një mbi një dritareve, dhe të Gjirokastrës, qyteti i gurtë. Në këtë listë përfshihet gjithashtu Trashëgimia Natyrore dhe Kulturore e Rajonit të Ohrit, si dhe Pyjet e Lashta dhe Parësore të Ahut, ku bëjnë pjesë Rrajca dhe Lumi i Gashit.
Në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale, UNESCO-ja njeh iso-polifoninë popullore shqiptare, xhubletën dhe transhumancën, traditën e shtegtimit sezonal të bagëtive. Ndërkaq, Kodikët e Purpurt të Beratit janë përfshirë në Regjistrin Ndërkombëtar të programit “Kujtesa e Botës” të UNESCO-s.
Pasuritë e mbrojtura nga UNESCO-ja u përkasin të gjithë popujve të botës, pavarësisht nga territori në të cilin ndodhen.
Burimi: RTKLive
