Shërbimet e inteligjencës të vendeve anëtare të NATO-s kanë arritur në përfundimin se Rusia planifikon të lëshojë gjatë këtij viti në hapësirë një satelit të pajisur me armë bërthamore, raportuan disa media gjermane.
Sipas një raportimi të televizioneve gjermane NDR dhe WDR, si dhe gazetës Süddeutsche Zeitung, shërbimet perëndimore të inteligjencës, përfshirë agjencinë gjermane BND dhe forcat e armatosura të Gjermanisë, kanë shkëmbyer informacione që tregojnë se sateliti, i quajtur Sputnik-S, është ndërtuar disa vite më parë dhe aktualisht ndodhet në rajonin e Moskës, shkruan Reuters.
Raportimet sugjerojnë se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për lëshimin e tij gjatë vitit 2026, megjithëse këto pretendime nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Në vitin 2024, Rusia kishte mohuar pretendimet e zyrtarëve amerikanë se Moska po zhvillonte një armë të aftë për të shkatërruar satelitët kundërshtarë përmes një shpërthimi bërthamor në hapësirë.
Zyrtarët amerikanë kanë pretenduar prej vitesh se Rusia po zhvillon një armë bërthamore që mund të shkatërrojë rrjete të tëra satelitore, përfshirë sistemin e internetit Starlink të kompanisë SpaceX, i cili përdoret nga forcat ukrainase gjatë luftës kundër Rusisë.
Një armë e tillë do të përbënte kërcënim serioz për infrastrukturën satelitore, nga e cila varen komunikimet dhe operacionet ushtarake të shumë vendeve. /Telegrafi/