Nga “Harry Potter” te “Twilight”, shenjat që Robert Pattinson ishte i destinuar të bëhej James Bond

Nga “Harry Potter” te “Twilight”, shenjat që Robert Pattinson ishte i destinuar të bëhej James Bond

Written by

in

Robert Pattinson është konfirmuar si James Bond-i i ri, pas muajsh spekulimesh për aktorin që do të merrte përsipër rolin ikonik.

Përzgjedhja e tij mund të ketë surprizuar shumëkënd, por disa detaje nga karriera e tij e hershme po rikthehen në vëmendje, duke krijuar përshtypjen se ky rol ishte paralajmëruar shumë kohë më parë.

Gjithçka nis me filmin “Harry Potter and the Goblet of Fire”, ku Pattinson interpretoi Cedric Diggory, shkruan DailyMail.

Fansat kanë vënë re një detaj interesant në mënyrën se si aktori mbante shkopin magjik, pasi e poziciononte me të dyja duart, njësoj si një armë. Në një intervistë për GQ në vitin 2022, ai shpjegoi se kjo zgjedhje kishte qenë e qëllimshme.

“Më kujtohet që mbaja një shkop magjik dhe mendoja se ndihesha shumë e çuditshme ta mbaja si një shkop magjik.

Kështu që e mbaj si një armë, me të dyja duart, sikur të isha në një film Die Hard”, tregoi aktori.

Një tjetër paralajmërim i pazakontë shfaqet në filmin “Twilight”, ku Pattinson interpretoi Edward Cullen.

Në një skenë të filmit të vitit 2008, personazhi Eric Yorkie, i luajtur nga Justin Chon, përmend shprehjen “Bixhoz, smoking dhe Bond. James Bond”.

Pas konfirmimit të Pattinson si agjenti 007, Chon publikoi një video nga ajo skenë, duke lënë të kuptohet se nuk ishte aspak i surprizuar nga lajmi.

Por lidhja e aktorit me rolin e Bond-it nuk përfundon këtu. Gjatë promovimit të filmit “Remember Me” në vitin 2010, ku luajti përkrah ish-interpretuesit të James Bond, Pierce Brosnan, Pattinson u pyet nëse do të dëshironte të bëhej pjesë e këtij universi kinematografik.

“Do të dëshiroja shumë të luaja rolin e një personazhi negativ në një film të Bondit”, ishte përgjigjja e tij. Ndërsa në një tjetër intervistë, kur u pyet nëse e shihte veten në rolin e agjentit sekret, ai u përgjigj: “Oh, nuk e di. Është një sfidë mjaft e madhe për t’u mbushur”.

Në vitin 2012, aktori madje parashikoi se mund ta merrte këtë rol pas dy dekadash. “Po, patjetër, por më shumë si 20 vjet”, tha ai për revistën ShortList. Në atë kohë, Pattinson mendonte se James Bond duhej të kishte më shumë përvojë dhe jo të interpretohej nga një aktor shumë i ri.

Interes për përzgjedhjen e tij kishte shfaqur edhe regjisori Danny Boyle, i cili në vitin 2019, pasi pa Pattinson në filmin “High Life”, kishte deklaruar se do të ishte një zgjedhje e shkëlqyer për Bond-in e ardhshëm.

Kështu, nga një rol në “Harry Potter”, te batutat në “Twilight” dhe deklaratat e tij ndër vite, disa detaje të karrierës së Robert Pattinson po marrin tani një kuptim tjetër, pas konfirmimit të tij si James Bond. /Telegrafi/