
Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka bërë thirrje që Evropa të rrisë mbështetjen financiare për Ukrainën, në mënyrë që vendi të përballojë dimrin dhe të sigurojë financimin e nevojshëm për vitin e ardhshëm.
Duke folur të enjten në Bruksel, ku liderët e Bashkimit Evropian janë mbledhur në një samit për të diskutuar ndihmën për Kievin, Merz theksoi se Ukraina ka nevojë për mbështetje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
“Duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta ndihmuar Ukrainën ta përballojë dimrin, por edhe vitin e ardhshëm”, deklaroi kancelari gjerman.
Ai shtoi se do të nevojitet rritje e mëtejshme e fondeve për t’i mundësuar Ukrainës të përballojë sfidat financiare dhe të vazhdojë mbrojtjen e saj kundër agresionit rus.
Sipas Reuters, ministri ukrainas i Financave, Serhiy Marchenko, kishte deklaruar në shtator se Ukrainës i mungojnë 32.6 miliardë dollarë për buxhetin e rregullt të vitit 2027, ndërsa hendeku financiar për buxhetin e mbrojtjes vlerësohet në 45 miliardë dollarë.
Merz foli edhe për asetet ruse të ngrira në Bashkimin Evropian, duke kundërshtuar mundësinë e transferimit të një pjese të tyre në Shtetet e Bashkuara për t’u përdorur si mjet presioni në negociatat për paqe.
Ai theksoi se asetet ruse, vlera e të cilave vlerësohet në rreth 210 miliardë euro, duhet të mbeten në Evropë.
“Kjo është çështje e jona dhe ne vendosim për të”, tha Merz.
Kancelari gjerman paralajmëroi gjithashtu për intensifikimin e sulmeve ruse ndaj Ukrainës, duke vlerësuar se lufta nuk ka të bëjë vetëm me integritetin territorial të këtij vendi, por edhe me rendin politik evropian.
“Jam ende plotësisht i bindur se nuk po mbrojmë vetëm integritetin territorial të Ukrainës, por edhe rendin politik të Evropës, të cilin Rusia po e vë nën presion të madh në çdo aspekt”, deklaroi Merz.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Merz kërkon më shumë fonde për Ukrainën: Asetet ruse të ngrira duhet të mbeten në Evropë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali