Merz po e kushtëzon buxhetin e BE-së me financimin e Ukrainës

Merz po e kushtëzon buxhetin e BE-së me financimin e Ukrainës

Written by

in

Qëndrimi i Berlinit ka nxitur reagime nga disa vende evropiane, të cilat kundërshtojnë përfshirjen në paketat e reja të ndihmës financiare për Kievin. Kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico, e cilësoi presionin e Merz-it si “shantazh tipik”, duke deklaruar se vendi i tij nuk do t’i nënshtrohet këtij qëndrimi.

Edhe kryeministri çek, Andrej Babiš, shprehu rezerva ndaj kërkesës gjermane, duke vënë në pikëpyetje arsyen e presionit ndaj shteteve që nuk dëshirojnë të marrin pjesë në financimin e Ukrainës.

Në një letër drejtuar presidentit të Këshillit Evropian, António Costa, Merz ka kërkuar që çështja të trajtohet në samitin e ardhshëm evropian në Dublin.

Sipas tij, mbështetja për Ukrainën përbën interes strategjik për të gjithë Evropën, ndërsa përgjegjësitë financiare duhet të ndahen në mënyrë më të barabartë mes vendeve anëtare.

Përplasja vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian ka miratuar një kredi prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën për periudhën 2026–2027. Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar edhe 70 miliardë euro për të mbuluar deficitin buxhetor të vendit.

BE-ja është zotuar të sigurojë 45 miliardë euro, ndërsa pjesa tjetër pritet të mbulohet nga partnerë të tjerë ndërkombëtarë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë.

Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj pjesëmarrjes në raundin e ri të financimit.

Përplasja nxjerr në pah dallimet e thella brenda Bashkimit Evropian lidhur me mbështetjen financiare për Ukrainën dhe ndarjen e barrës ekonomike mes vendeve anëtare. Nëse nuk arrihet kompromis, mosmarrëveshjet mund të komplikojnë negociatat për buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të BE-së.

Burimi: RTKLive