
Insajderi ka mësuar emrat e dy të arrestuarve të tjerë në operacionin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, i cili lidhet me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ushtrim të ndikimit dhe ryshfet.
Bëhet fjalë për Skender Jetishin, avokat nga Ferizaj, dhe Artan Dervishin, zyrtar në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Më herët, Insajderi ka raportuar se në mesin e të arrestuarve janë edhe Emin Plakaj dhe Sulltan Mehmeti.
Sipas Prokurorisë, katër të dyshuarit dyshohet se kanë pasur role në dy çështje: kërkimin e 10 mijë eurove për të ndikuar në një rast shpronësimi në Gjykatën e Apelit dhe ndikimin në konkursin për punësimin e një familjari në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, Plakaj dhe Skender Jetishi dyshohet se i kanë kërkuar 10 mijë euro një personi me inicialet M.S., në këmbim të ndikimit në vendimmarrjen e një gjyqtari të Gjykatës së Apelit, lidhur me një kontest shpronësimi.
Të dëmtuarit dyshohet se i është thënë se 5 mijë euro do t’i jepeshin gjyqtarit që do të merrte vendimin, ndërsa 5 mijë eurot e tjera do të ndaheshin në mënyrë të barabartë mes dy të dyshuarve, Emin Plakajt dhe Skender Jetishi.
Në rastin tjetër, që lidhet me punësimin në gjykata, Prokuroria dyshon se Emin Plakaj dhe Artan Dervishi., në cilësinë e zyrtarëve të Gjykatës Themelore në Ferizaj, së bashku me Sulltan Mehmetin, zyrtar në Gjykatën Themelore në Gjakovë, kanë ndikuar në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për pozitën “Zyrtar për Shërbime” në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Prokuroria bën të ditur se Emin Plakaj. dhe Skender Jetishi dyshohen për tri vepra penale: keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit dhe pranim të ryshfetit në sektorin privat.
Ndërkaq, Artan Dervishi dhe Sulltan Mehmeti dyshohen për ushtrim të ndikimit.
Prokuroria thotë se hetimet janë zhvilluar për disa muaj, ndërsa operacioni është realizuar në koordinim me Policinë e Kosovës.
Në njoftim u bë bërë të ditur se të katër të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi