Basketbollisti amerikan e ka pranuar çmimin të shtunën, gjatë ndeshjes ndërmjet Rahovecit 029 dhe Golden Eagle Yllit.
Adams-Woods është vlerësuar për paraqitjet e tij të mira në ndeshjet e para të këtij edicioni, duke qenë njëri prej basketbollistëve më produktivë të kampionatit.
Ai ishte shpallur edhe lojtari më i vlefshëm i xhiros së gjashtë, pasi në ndeshjen ndaj Vëllaznimit realizoi tridhjetë e shtatë pikë, shtatë kërcime dhe gjashtë asistime, me indeks efikasiteti tridhjetë e një.
Përveç Adams-Woodsit, në pesëshen më të mirë të xhiros së gjashtë u përfshinë edhe Dwight Wilson i Pejës, Ja’cori Payne i Trepçës, Shanon Shorter i Bashkimit dhe Laolu Oke i Borës.
Wilson pati indeksin më të lartë të efikasitetit në këtë pesëshe, me 40, falë paraqitjes me njëzet e shtatë pikë, gjashtëmbëdhjetë kërcime dhe tri asistime.
Adams-Woods ka qenë një prej lojtarëve kryesorë të Rahovecit 029 në këtë fillim të sezonit, ndërsa çmimi i muajit tetor është vlerësim për kontributin e tij në Superligën e Kosovës.
Burimi: RTKLive
