Mjekët e papunë protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë, kërkojnë mundësi punësimi

Mjekët e papunë protestojnë para Ministrisë së Shëndetësisë, kërkojnë mundësi punësimi

Written by

in

Ata kundërshtuan mungesën e perspektivës profesionale, pritjet e gjata për punësim dhe, siç thanë, mungesën e dialogut me institucionet përgjegjëse.

Përfaqësuesi i protestuesve, Besfort Racaj, tha se nga viti 2021 deri në vitin 2026, Kosovën e kanë lëshuar 650 mjekë, ndërsa 534 doktorë dhe qindra stomatologë e infermierë vazhdojnë të jenë pa punë.

Protestuesit kërkuan konkurse të rregullta dhe transparente për punësim e specializime, ndryshim të kritereve të vlerësimit, si dhe pagesë për stazhin gjashtëmujor.

Në mbështetje të tyre ishte edhe deputetja dhe profesoresha e Fakultetit të Mjekësisë, Albena Reshitaj. Ajo kërkoi dialog me institucionet dhe zgjidhje konkrete, duke theksuar se mjekët e rinj nuk kërkojnë privilegje, por mundësi të barabarta për punësim dhe zhvillim profesional.

Reshitaj paralajmëroi se mungesa e perspektivës po i shtyn të rinjtë ta shohin emigrimin si alternativë.

Ndërkaq, Racaj njoftoi se protesta do të vazhdojë edhe nesër, nga ora 10:00 në sheshin “Skënderbeu”, ku mjekët e diplomuar të papunë do të ofrojnë shërbime mjekësore falas për qytetarët.

Burimi: RTKLive