Momente dramatike janë regjistruar në ndeshjen mes Tenerifes dhe Andorrës, e vlefshme për Ligën e Dytë të futbollit spanjoll,ku sulmuesi i skuadrës vendase, Jesus De Miguel, pësoi një arrest kardiak pas një përplasjeje të fortë me portierin kundërshtar, Jesus Owono.
Ngjarja e rëndë ndodhi në minutën e 99-të të takimit, gjatë kohës shtesë, në një moment kur ndeshja po zhvillohej me intensitet të lartë. Ajo që fillimisht dukej si një duel i zakonshëm futbollistik, shumë shpejt u shndërrua në një situatë alarmante, duke shkaktuar panik te futbollistët dhe të gjithë të pranishmit në stadium.
De Miguel, 30-vjeçar, ishte duke u përgatitur të niste një kundërsulm të shpejtë për Tenerifen, pasi kishte marrë topin pranë rrethit të mesit të fushës. Në atë moment, përballë tij doli portieri i Andorrës, Jesus Owono, i cili tentoi ta ndalte aksionin.
Përplasja mes dy futbollistëve ishte jashtëzakonisht e fortë. Portieri kundërshtar e goditi sulmuesin me gju në pjesën e gjoksit, duke e rrëzuar atë me forcë në tokë. De Miguel u rrotullua fillimisht nga dhimbjet, por pak sekonda më vonë mbeti i palëvizur në fushë.
Situata shkaktoi menjëherë shqetësim të madh. Lojtarët e të dyja skuadrave e kuptuan se bëhej fjalë për një incident serioz dhe kërkuan me urgjencë ndërhyrjen e stafit mjekësor.
Në ato momente, futbolli dhe rezultati kaluan në plan të dytë. Ekipet mjekësore të Tenerifes dhe Andorrës u futën në fushë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme sulmuesit, i cili kishte humbur ndjenjat pas goditjes së marrë në gjoks.
Sipas informacioneve të bëra të ditura, futbollisti pësoi një arrest kardiak, duke e bërë situatën edhe më kritike. Stafi mjekësor nisi menjëherë procedurat e reanimimit kardiopulmonar (CPR), në përpjekje për ta stabilizuar gjendjen e tij.
Ndërhyrja zgjati rreth 10 minuta, në momente që u karakterizuan nga ankthi dhe shqetësimi i madh. Futbollistët qëndruan pranë bashkëlojtarit të tyre, ndërsa vëmendja e të gjithëve ishte përqendruar te përpjekjet e stafit mjekësor për ta shpëtuar atë.
Pas ndihmës së dhënë në fushë, Jesus de Miguel u transportua me barelë drejt një ambulance të pajisur me personel mjekësor. Ai u dërgua në spitalin më të afërt, në Santa Cruz, për të marrë trajtim të specializuar./Telegrafi/