
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit Basha dhe ministrit Gashani në Kuvend, duke i akuzuar për keqinformim të qytetarëve dhe shmangie të përgjegjësisë së Qeverisë për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Rama ka thënë se Lojërat Mesdhetare përbëjnë një mundësi historike për Kosovën, por ka paralajmëruar se organizimi i tyre po rrezikohet nga veprimet dhe mosveprimet e Qeverisë.
“Deputeti Basha dhe ministri Gashani po e përdorin foltoren e Kuvendit për me mashtru qytetarët dhe me e fsheh përgjegjësinë e Qeverisë përmes akuzave ndaj meje dhe Kryeqytetit”, ka shkruar Rama.
Ai ka theksuar se letrat me vërejtje nga Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare, të drejtuara Qeverisë së Kosovës, dëshmojnë se ku qëndrojnë problemet dhe kush duhet t’i përmbushë obligimet.
Rama ka thënë se e mbështet organizimin e Lojërave dhe përfshirjen e qyteteve të tjera, por vetëm në përputhje me marrëveshjet dhe Masterplanin e miratuar.
“Unë dhe Kryeqyteti kemi vetëm 3 nga 12 vota në Komitetin Organizativ. Qeveria dhe Komiteti Olimpik i Kosovës e kanë shumicën vendimmarrëse. Përgjegjësinë për vendimet e tyre duhet ta marrin para qytetarëve”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Prishtinës ka drejtuar akuza edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti, të cilin e ka fajësuar për nxitjen e përçarjeve mes qyteteve.
“Kryeministri Kurti po e përdor këtë ngjarje historike për agjendën e tij populiste, duke nxitur përçarje mes qyteteve dhe duke hedhur akuza për t’iu shmangur përgjegjësisë”, ka shkruar Rama.
Si shqetësime kryesore, ai ka përmendur mospagesën e obligimeve ndaj Komitetit Ndërkombëtar, për të cilat Qeveria ka dhënë garanci, si dhe përpjekjet për ndryshimin e Masterplanit të miratuar.
“Afatet po mbarojnë. Çdo ditë e humbur e rëndon përgjegjësinë dhe e rrezikon këtë mundësi historike”, ka paralajmëruar Rama.
Ai i ka bërë thirrje Qeverisë që t’i përmbushë obligimet e saj, duke theksuar se qytetarët meritojnë që Lojërat Mesdhetare të realizohen me sukses dhe Kosova të përfaqësohet denjësisht para botës.
Burimi: Insajderi